Në një mbretëri të vogël malore afrikane, një klub futbolli po bën ndryshime sociale

Prishtinë | 19 Kor 2020 | 14:32 | Nga Ekonomia Online

uky Ramokoatsi është e bindur se futbolli ia shpëtoi jetën. Ishte dashuria e saj për këtë sport që e tërhoqi për herë të parë në “Kick4Life”, një bamirësi e themeluar në Lesoto – vendlindjen e saj – nga vëllezërit britanikë Steve dhe Pete Fleming në vitin 2005.

“Kick4Life” ofron mbështetje për një sërë programesh shëndetësore, arsimore dhe gjinore në Lesoto, një vend i gdhendur brenda Afrikës së Jugut, shkruan CNN, transmeton KOHA. Një nga këto programe është nisma “Girls United”, që mbështet vajzat dhe gratë e cenuara që përballen me dhunë në baza gjinore, duke përdorur futbollin si një mjet për t’i angazhuar dhe fuqizuar ato.

“Kam kaluar nëpër disa abuzime që pothuajse i dhanë fund jetës. Unë u përdhunova dhe nuk isha në gjendje të flas për këtë. Ndodhi kur isha në shkollë të mesme, por prejse kam takuar disa nga personat e trajnuar në Kick4Lfe, unë kam qenë në gjendje të flas për atë çështje dhe të shërohem”, ka pranuar Ramokoatsi. “Unë nuk u shërova fare derisa arrita këtu. Unë gjithmonë u them njerëzve se nëse nuk do të ishte për Kick4Life, nuk do të kisha qenë gjallë”.

Në dhjetë vjet qëkur Ramokoatsi u bashkua me bamirësinë, ajo ka arritur të bëhet kryetrajnere e ekipit të femrave Kick4Life FC.

Javë më parë, Kick4Life FC tha që nga sezoni i ardhshëm do të bëhet ekipi i parë në ligat elitare të botës do të ndajë buxhetin e barabartë për ekipin e meshkujve dhe të femrave. Ekipi i meshkujve i Kick4Life FC fitoi promovimin në kategorinë elitare të Lesotos në vitin 2014, ndërsa ai i femrave ishte pjesë e Superligës që nga themelimi dhe në vitin 2018, me Ramokoatsin në krye, siguruan trofeun e parë të madh të klubit duke fituar Kupën e Superligës së femrave.

“Ne kemi parë që skuadra e femrave mund të jetë tepër e fuqishme si shembull për të gjithë dhe shumë prej lojtareve tona janë të përfshira në drejtimin e programit Girls United”, thotë njëri prej bashkëthemeluesve të Kick4Life, Steve Fleming. “Ekipi po e përdor futbollin si një mjet për të angazhuar, frymëzuar dhe fuqizuar femrat, si dhe gjithashtu për të ndryshuar qëndrimet e meshkujve. Vetëm duke parë femrat që luajnë futboll, filluan të prishen perceptimet për rolin e tyre në shoqëri”.

Fleming thotë se Kick4Life gjithashtu drejton programe edukative për meshkujt për të provuar dhe ndryshuar qëndrimet e tyre “arkaike” ndaj femrave në shoqëri. Një vlerësim nga Fondi i Popullsisë së Kombeve të Bashkuara (UNFPA) në prill, zbuloi se kishte një numër “jashtëzakonisht të lartë” të sulmeve seksuale në Lesoto pas bllokimit nga koronavirusi. Rritje të ngjashme janë regjistruar në të gjithë botën që nga koha kur pandemia ka detyruar shumicën e vendeve të futen në karantinë.

Të ngjashme