Në Premier League do të shpenzohen 4.5 milionë euro në 40 mijë pajisje testuese për Coronavirus

Prishtinë | 04 Maj 2020 | 08:44 | Nga Ekonomia Online

Lojtarët e Premier Leagues kanë filluar t’i nënshtrohen testeve për koronavirus.

Rreth 40 mijë pajisje testuese për COVID-19 – me kosto rreth 4.5 milionë euro – do të blihen nga liga në tentim për të rifilluar ndeshjet, shkruan “The Sun”.

Mirëpo, një klub i madh raportohet se ka nisur tashmë t’u dërgojë pajisjet testuese lojtarëve në shtëpi, që ata të marrin mostrat e tyre vet.

Klubet e Premier Leagues i janë kthyer stërvitjeve individuale. Po shpresohet që stërvitjet ekipore të nisin më 25 maj, por autoritetet e futbollit po presin aprovimin e kryeministrit të Britanisë, Boris Johnson. Qeveria britanike pritet që të enjten të marrë masa tjera lehtësuese.

Mënyra e vetme për të vazhduar 92 ndeshjet e mbetura të Premier Leagues është që të bëhen testime të shumta.

Por, është ende e mundur që disa klube dhe organizata të marrin pajisje testuese nga jashtë, ndonëse ka debat për besueshmërinë e atyre pajisjeve.

Zyrtarisht, lojtarët do të testohen dy herë në javë për të munduar që të ketë kushte sa më të sigurta për vazhdim të stërvitjeve.

Gjithë lojtarët në dy rangjet e para të Gjermanisë në futboll janë testuar në fund të javës së kaluar. Tre anëtarë të klubit të Bundesligës, Koeln, kanë rezultuar pozitiv me koronavirus, njëri prej tyre ishte fizioterapeut.


Lojtarët e Bundesligës do t’i kthehen stërvitjeve të plota këtë javë.

Ndërkohë Premier League po punon që të përfundojë gjithë stinorin brenda një harku kohor prej shtatë javëve. Por, për të bërë këtë Premier League nuk mund të rifillojë më vonë se 19 qershor.

Liga po planifikon të rifillojë më 12 qershor, nëse merret aprovimi i qeverisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme