Në Premierë Ligë janë të bindur se ndeshjet rifillojnë në qershor

Prishtinë | 23 Maj 2020 | 12:16 | Nga Ekonomia Online

Në Premierë Ligë janë plotësisht të sigurt se edicioni do të rifillojë në qershor, ka thënë shefi ekzekutiv Richard Masters.

Lojtarët janë kthyer në stërvitje të martën, në ditën kur u bë e ditur për gjashtë raste pozitive për koronavirus në tri klube të ndryshme.

Premier League, që është pezulluar më 13 mars, ka caktuar më herët 12 qershorin si datë të mundshme për rifillim.

“Është një moment i rëndësishëm. Ne e kemi bërë hapin e parë”, ka thënë Masters për BBC. “Është gjë e madhe për të gjithë, duke përfshirë tifozët, që të shohin lojtarët tanë të kthyer në qendrat stërvitore”.

I pyetur se cilën datë Premier League e synon për rikthimin, Masters ka thënë se duhet të jetë fleksibil dhe mund të mësojë nga vazhdimi i Bundesligës javën e kaluar.

Ai po ashtu beson që tifozët do të mund të kthehen nga edicioni i ardhshëm.

Lojtarët aktualisht po ushtrojnë në grupe të vogla, duke mbajtur distancën sociale. Stërvitjet e plota, me kontakt, pritet të lejohen së shpejti nga autoritetet.

Të ngjashme