Nëntëshet klasike janë kthyer në modë në Serie A

Prishtinë | 10 Jan 2020 | 11:52 | Nga Ekonomia Online

Harroni nëntëshet e rrejshme. Nëntëshja tradicionale është kthyer në modë në Serie A, shkruan AP.

Nga Romelu Lukaku, te Ciro Immobile e Andrea Belotti – e madje edhe Cristiano Ronaldo me stil të ri – qendërsulmuesit klasikë po bëjnë bujë në futbollin italian, ndërsa është kryer gjysma e edicionit, transmeton Koha Ditore.

Ndeshjet e xhiros së fundit ishin dëshmia më e madhe për këtë, ku Ronaldo shënoi tre gola dhe nga dy gola i shënuan Lukaku, Immobile e Belotti.

Edhe Napoli, që kishte udhëhequr trendin e fundit me nëntëshe të rrejshme – duke përdorur një mesfushor më të zhdërvjelltë në pozitën e qendërsulmuesit – është mbështetur në forcën fizike të Arkadiusz Milikut për gola këtë stinor, e jo në shpejtësinë dhe zhdërvjelltësinë e Dries Mertensit.

Ndërkohë, Zlatan Ibrahimoviq ka luajtur ndeshjen e parë me Milanin këtë stinor, që nga rikthimi në janar.

Immobile me 19 gola në 17 ndeshje është një arsye e madhe pse Lazio është papritmas në garë për titullin e parë në Serie A pas dy dekadave. Reprezentuesi i Italisë është baras me gola me Robert Lewandowskin e Bayern Muenchenit në garë për “Këpucën e Artë”, si golashënuesi më i mirë në ligat evropiane këtë stinor.

Ndërsa Immobile nuk ka strukturën e njëjtë fizike të shumë nëntësheve tradicionale, lëvizjet e tij vertikale kanë qenë në sinkron perfekt me specialistët e krosimeve si Sergej Milinkoviq-Saviq e Luis Alberto.

Lukaku ka prodhuat një tandem shumë produktiv tek Interi me Lautaro Martinezin. E njohur si “LuLa”, dyshja ka shënuar 23 gola në Serie A këtë stinor – më tepër se që ka shënuar gjithë rivali lokal, Milani.

Të ngjashme