Nëpërmjet Zvicrës, Shkëlqimi synon të kthehet edhe një herë te Kosova

Prishtinë | 07 Kor 2020 | 08:52 | Nga Ekonomia Online

Dy qëllime ia ka vënë vetes për edicionin e ardhshëm Shkëlqim Demhasaj. Të shkëlqejë te klubi i ri, Grasshopper dhe përmes tij ta zërë vendin e titullarit te Përfaqësuesja e Kosovës në futboll. Të dyja misionet për sulmuesin nuk janë të pamundura, siç thotë ai. Demhasaj, në një intervistë dhënë të hënën për KOHËN, ka thënë se qysh tash ka nisur të përgatitet për edicionin e ri.

“Kam mundur të nënshkruaj kontratë që të qëndroj te Luzerni deri në fund të këtij sezoni, por nuk kam dashur. Dua të përgatitem maksimalisht te Grasshopperi për të qenë i gatshëm për sezonin e ri. Nuk e shoh një hap prapa kalimin te Grasshopperi, që garon në Kategorinë e Dytë të Zvicrës”, ka thënë Demhasaj. “Është një ekip i fortë dhe besoj se këtë vit do të ngrihet në Superligë. Por, nëse nuk ndodh një gjë e tillë, do t’i ndihmoj që vitin tjetër të ngjitet. Dua të shënoj sa më shumë gola për t’u kthyer sërish te Kosova”.

Demhasaj ditë më parë është prezantuar te skuadra e Grasshopperit, me të cilën ka firmosur kontratë deri në verën e vitit 2023. Te Grasshopperi, 24-vjeçari është transferuar si lojtar i lirë për shkak se kontrata me Luzernin i ka skaduar në fund të muajit të shkuar. Sulmuesin kosovar, te Grasshopperi po e shohin si përforcim të madh për edicionin e ri, në të cilin po synojnë rikthimin në Superligën e Zvicrës. Grasshopperi këtë edicion bën gara në kategorinë e dytë zvicerane, në të cilën kanë mbetur edhe tetë xhiro të pazhvilluara. Grasshoppers është në vendin e dytë me 50 pikë, pesë më pak se Lausanne që prin në tabelë.

“Përkundër gjatësisë së tij prej 191 centimetrave, Demhasaj ka aftësi të shkëlqyera teknike dhe është jashtëzakonisht i vështirë përballë portës kundërshtare. Me cilësitë dhe profilin e tij, ai do ta ndihmojë shumë ekipin. Është një sulmues që i përshtatet lojës sonë”, ka paralajmëruar drejtori sportiv i Grasshopperit, Bernard Schuiteman.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme