Nëse s’ka pajtim për protokollin e sigurisë, stinori në Serie A nuk vazhdon

Prishtinë | 30 Pri 2020 | 12:03 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Sportit i Italisë, Vincenzo Spadafora ka paralajmëruar se nëse nuk ka një pajtim të përgjithshëm për protokollin e sigurisë, atëherë qeveria do të njoftojë se stinori në Serie A nuk do të vazhdohet.

Në protokollin e sigurisë të dorëzuar nga Federata e Futbollit të Italisë (FIGC) është përfshirë izolimi i lojtarëve në kampe stërvitore, testimi i rregullt i tyre për COVID-19 me teste të strishove apo gjakut, dezinfektimi i strukturës dhe kufizimi i personelit në stadiume.

Mirëpo, protokolli u vlerësua si i pamjaftueshëm nga komitetit shkencor i qeverisë italian, i caktuar për të analizuar kthimin në punë.

“Nëse pajtohen gjitha palët për protokollin, atëherë stërvitjet do të kthehen dhe kjo do të ketë ndikim pozitiv edhe në vazhdimin e mundshëm të stinorit. Por, nëse nuk ka pajtim për protokollin e sigurisë, atëherë qeveria do të marrë vendim – për shkak të emergjencvës së shëndetit publik – se stinori ka mbaruar, edhe nëse kjo nënkupton krijimin e kushteve për të siguruar që bota e futbollit të mos pësojë aq shumë dëme. Ne do të marrim këtë përgjegjësi”, ka thënë Spadafora për “RAI 3”.


Deklarata e Spadaforas vjen pas deklarimit të presidentit të Federatës së Futbollit të Italisë (FIGC), Gabriele Gravina të mërkurën mbrëma se ai kurrë nuk do të nënshkruaj për anulimin e stinorit, pasi do të ishte vdekje për futbollin.

Vendimi i qeverisë për të ndaluar kthimin në qendra stërvitore deri më 18 maj ka irrituar klubet, trajnerët dhe madje edhe asociacionin e futbollistëve, që thonë se është e palogjikshme që sportistët mund të vrapojnë nëpër parqe nga 4 maji, por nuk kanë të drejtë të kthehen në qendra stërvitore deri më 18 maj.

“Sipas mendimit tim, ne duhet të apelojmë te Lega Serie A që të ndal kundërthëniet dhe përplasjet. Futbolli duhet të jetë simbol i gëzimit, pasionit dhe sportit, duhet të jemi të ndarë vetëm në përkrahjen e skuadrave tona”, ka thënë Spadafora.

Raportohet se 18 nga 20 klubet janë të interesuara që të vazhdojnë stinorin, ndërsa kundër janë vetëm Brescia e Torino.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme