Neymari kthehet në stërvitje të PSG-së

Prishtinë | 03 Pri 2019 | 09:24 | Nga Ekonomia Online

Braziliani ka qenë jashtë fushës së blertë që nga janari për shkak të një lëndimi të këmbës, mirëpo ai duket se do të luajë përsëri para fundit të sezonit.

Neymari do t’u kthehet stërvitjeve të Paris Saint-Germainit sot, si pjesë e procesit rikuperues nga lëndimi i shputës së këmbës, që e pësoi më 23 janar në ndeshjen kundër Strasbourgut, në kuadër të Coupe de France.

27-vjeçari, i cili u transferua nga Barcelona në vitin 2017 për shumën rekorde 222 milionë euroshe, e ka kaluar shumicën e procesit rikuperues në vendlindjen e tij, Brazil. Mirëpo, ai pritet të kthehet sot në stërvitje në kryeqytetin francez.

“Rikuperimi i Neymari nga lëndimi është duke shkuar mirë dhe ai do të kthehet në stërvitje të mërkurën, pasi që do t’i mbajë teste mjekësore në fushë. Specialistët e klubit do t’i bëjnë të gjitha testet brenda dy javëve”, shkruhet në deklaratën e PSG-së.

Trajneri Thomas Tuchel kishte konfirmuar këtë javë se futbollisti brazilian po ndihej mirë dhe nuk po ndien dhimbje, mirëpo nuk pranoi ta parashikoj datën kur do t’i kthehet ai futbollit.

“Është ende shumë herët për kthimin. Ne duhet të kemi durim. Është shumë e vështirë për mua, edhe më shumë për të. E vetmja zgjidhje është që të kemi durim për të. Ai duhet të kthehet. Nuk dua ta jap ndonjë datë”, kishte thënë Tuchel.

Neymari i kishte shënuar 13 gola në po aq paraqitje në Ligue 1, si dhe pesë të tjera në Ligën e Kampionëve e dy në kupat vendore. Ai ishte përballur me një lëndim të ngjashëm edhe në sezonin e kaluar, të parin për të në Francë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme