Nga Feyenoordi në Kosovë: Ëndrrat e Loshit megjithatë janë të mëdha

Prishtinë | 14 Jan 2020 | 10:45 | Nga Ekonomia Online

Simon Loshi ka vizituar Kosovën prej moshës pesëvjeçare, për pushime dhe vizita familjare. Por, kur muajin e shkuar shkeli në tokën e Kosovës, Loshi pati një ndjenjë krejtësisht tjetër.

“Papritmas, të gjithë të shikojnë ndryshe për shkak se kam ardhur në Kosovë për të luajtur futboll dhe jo për pushime”, thotë Loshi.

Më përpara kur vinte për pushime, të gjithë thoshin se ky është futbollisti i Feyenoordit, por tashmë kjo ka ndryshuar, pasi Loshi tash e tutje është lojtar i kampionit në fuqi të Kosovës, KF Feronikeli, shkruan sot Koha Ditore.

“Tash ndihem krenar që kam ardhur për të luajtur në Kosovë dhe personalisht po ndihem shumë mirë”, pranon Loshi.

Për botën e futbollit kjo lëvizje e Loshit shihet si befasi e madhe, por për futbollistin është një aventurë e pashmangshme. 19-vjeçari pranon se disa vjet më parë as që kishte paramenduar se një ditë do të luante në Superligën e Kosovës.

“Nuk kam pritur, por tash gjërat kanë ndryshuar dhe me padurim po pres të luaj në këtë kampionat me fanellën e Feronikelit”, shton ai.

Loshi është i lindur në Tilburg të Holandës. Në vitet e para të karrierës së tij ka luajtur te Willem II para se në vitin 2009 t’i bashkohej akademisë së Feyenoordit në moshën nëntëvjeçare. Loshi ka luajtur me gjeneratat e reja të Feyenoordit ku edhe është zhvilluar si futbollist, derisa vitin e shkuar është lënë i lirë të largohet.

Të ngjashme