Nga Serbia te Kosova, Arton Zekaj vjen në folenë Dardane

Prishtinë | 27 Maj 2019 | 13:32 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi ka pritur sot në zyrën e tij futbollistin e ri Arton Zekaj, pjesë e klubit francez, Lille, i cili ditë më parë është pajisur me pasaportë të Kosovës dhe do të jetë pjesë e Kombëtares U21.

Të pranishëm në takim ishin edhe babai i futbollistit, Din Zekaj si dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu dhe menaxheri i ekipit kombëtar U21, Zgjim Sojeva.

Presidenti Ademi i dëshiroi mirëseardhje Artoni në folenë Dardane dhe e falënderoi atë për vendimin e marrë që ta përfaqësojë Kosovën, duke e realizuar në këtë mënyrë dëshirën e prindërve dhe të familjes së tij të gjerë, por edhe të shumë tifozëve.

Presidenti Ademi tutje ka thënë se paraqitjet e mira të ekipit kombëtar kanë bërë jehonë kudo dhe Kosova po vlerësohet si storie e suksesit, derisa edhe përkrahja e popullit dhe e institucioneve është maksimale. E kjo ka ndikuar edhe te futbollistët shqiptar kudo që janë që të kenë dëshirë të madhe për ta përfaqësuar vendin e origjinës së tyre.

Ndërkaq, babai i futbollistit u shpreh i lumtur që tashmë djali i tij do të jetë pjesë e Kosovës, derisa ka shprehur falënderime për të gjithë trajnerët që kanë punuar me Artonin gjatë zhvillimit të tij si futbollist në Serbi. “Ne i jemi mirënjohës të gjithë atyre që kanë punuar dhe që e kanë ngritur në këtë nivel Artonin, por edhe menaxherit Milan Kesiç, i cili na ka përkrahur që ta realizojmë dëshirën që Artoni të luaj për Kosovën. Kjo pa dyshim do t’i ndihmoj të rritet edhe më tutje profesionalisht”, ka thënë babai i futbollistit. Ndërkohë, vetë futbollisti e ka falënderuar presidentin Ademi për përkrahjen, derisa është shprehur i lumtur që do ta veshë fanellën e Kosovës, që është vendi i origjinës së tij.

Në fund, presidenti Ademi ia ka dhuruar Arton Zekajt një fanellë të Kombëtares, të cilën ai do ta veshë për ekipin U21 që nga ndeshjet e muajit shtator, ngase për dy ndeshjet e qershorit kundër Andorës dhe Turqisë nuk do të mund të jetë në shërbim të përzgjedhësit Rafet Prekazi për shkak të lëndimit.

Kujtojmë se Zekaj u rrit në Beograd, teksa përfaqësoi Serbinë deri në moshën 19-vjeçare, por në fund zgjodhi të luajë për Kosovën

Të ngjashme