Ngritja e madhe mund ta dërgojë Laurën në “Tokio 2020”

Prishtinë | 27 Tet 2019 | 11:17 | Nga Ekonomia Online

Majlinda Kelmendi ka fituar medalje në dy ngjarjet më të mëdha të xhudos këtë vit. Sukses të njëjtë, sa i përket numrit të medaljeve, ka arritur edhe Loriana Kuka.

Grupit fare të vogël të sportistëve kosovarë që kanë fituar medalje në kampionat botëror dhe në kampionat evropian gjatë këtij viti, i është bashkuar xhudistja e re, Laura Fazliu.

Kampionia olimpike, Majlinda Kelmendi, ka fituar medalje të artë në Lojërat Evropiane, që janë numëruar edhe si kampionat evropian i xhudos. Në Botërorin e xhudos fitoi medalje të bronztë, shkruan sot Koha Ditore.

Loriana ka shpërthyer këtë vit duke fituar fillimisht medalje të bronztë në Lojërat Evropiane e më pas edhe në kampionat botëror. Medalje me shkëlqim bronzi ka fituar edhe Laura Fazliu, por në konkurrencë të juniorëve (U-20).

19-vjeçarja garon në kategorinë deri 63 kilogramë, në të cilën aktualisht Kosova nuk ka garuese elitare te senioret.

Laura besohet se do të plotësojë atë zbrazëti në ekipin olimpik të Kosovës në xhudo. Ajo medaljen e bronztë fillimisht e fitoi në kampionatin evropian për juniorë të mbajtur në Vaantaa të Finlandës më 13 shtator.

Të njëjtin sukses e arriti në kampionatin botëror të xhudos për juniorë, të mbajtur në Marrakech të Marokut. Garoi më 17 tetor.

19-vjeçarja kishte ditë shumë të ngarkuar në Marrakech, por në fund mori shpërblimin – suksesin bindshëm më të madh në karrierën e deritashme.

Ajo rreshtoi tri fitore para se të ndalej nga një xhudiste nga Serbia. Kishte rast përmes repesazhit dhe e shfrytëzoi maksimalisht. Mposhti një xhudiste nga Gjermania dhe në luftë për medalje e mposhti çeken Renata Zachova, me hudhje të bukur për “Ippon”.

Të ngjashme