Ngritja e mesfushorit Soucek në yll të Premier Leagues

Prishtinë | 13 Shk 2021 | 09:13 | Nga Ekonomia Online

Kur Tomas Soucek u përjashtua nga ndeshja gjatë kohës shtesë kundër Fulhamit vikendin e shkuar, trajneri i West Ham Unitedit, David Moyes, dhe tifozët e klubit ishin të habitur me vendimin e arbitrit.

Por ata gjithashtu ishin të shqetësuar për pasojat e mëvonshme.

Kartoni i kuq u anulua me shpejtësi, që do të thotë se nuk kishte suspendim prej tri ndeshjeve për mesfushorin 25-vjeçar të Çekisë, i cili ka qenë një zbulim qëkur u bashkua me West Hamin në janar të vitit 2020 në një marrëveshje huazimi që u bë e përhershme gjashtë muaj më vonë. Për kartonin e Soucekut, ekipi anglez ia pagoi Slavia Pragës 25 milionë euro.

Që nga fillimi i dhjetorit, Soucek ka shënuar shtatë gola në kampionat. Tetë golat e tij në total këtë sezon e bëjnë atë mesfushorin me më së shumti realizime në Premier League. Ka shënuar më shumë se Bruno Fernandesi i Manchester Unitedit.

Ai është bërë një nga lojtarët kryesorë – ndoshta lojtari kryesor – në një transformim që e ka çuar West Hamin në pozitën e gjashtë në kampionat, me gjasa të mira për të siguruar kualifikimin në Ligën e Kampionëve sezonin tjetër. Soucek është bërë i preferuari i tifozëve pasi po sjell siguri në fushë në secilin repart. Paraqitjet e këtij edicioni ka bërë që skuadrat si Manchester Unitedi e Bayern Munichu të shprehin interesim për transferimin e Soucekut në fund të sezonit. Mirëpo jo shumë kohë më parë ai ishte i padëshiruar dhe e gjeti veten duke u stërvitur midis blloqeve të banesave.

Askush nuk besonte në aftësitë e tij

Gjashtë vjet më parë, kur Soucek ishte 19 vjeç dhe ishte në përpjekjen e tij për t’u bërë një futbollist profesionist, vështirë se dikush besoi në të. Ai kishte prova në nivelin e dytë të Çekisë në janar të vitit 2015, por dy klube, Vlasim dhe Frydek-Mistek, refuzuan t’i ofronin kontratë. Soucek, i cili ishte akoma lojtari i Slavia Pragës, u mor më pas në huazim nga Viktoria Zizkov, kryesisht sepse ishte në dispozicion falas. Zizkovi kishte probleme financiare dhe duhej të improvizonte me skuadrën. Klubi u përpoq të merrte lojtarë nga klube më të mëdha në huazim por dështoi dhe më pas Slavia ia ofroi atij Soucekun, i cili kishte qenë në Akademi prej moshës dhjetëvjeçare. Kur stafi i Zizkovit e pa atë në stërvitje, trajnerët nuk ishin të bindur.

“Thjesht, nuk ishte mjaft i mirë”, tha David Cermak që atëbotë ishte te Zizkovi.

Trajneri i Zizkov, Jindrich Trpisovsky, nuk e donte atë, por menaxheri i përgjithshëm i klubit, Ivan Hornik, ndërhyri.

“Hornik tha se ai është i huazuar dhe falas kështu që do të mbetet në ekip pasi kishte besim të madh se Soucek do të punonte më së shumti nga të gjithë”, kujton Cermak.

Soucek ishte i gjatë dhe kur trajnerët e shikuan, ata e konsideruan si të ngadaltë. Ai luajti si mesfushor mbrojtës, por pasimi i tij nuk ishte më i miri. Në Akademinë e Slavias u përpoqën ta kthenin atë në një qendërmbrojtës, por lojtari ka rezistuar çdo përpjekje për të ndryshuar pozitën e tij. Ai gjithmonë ka admiruar Cesc Fabregasin e Yaya Touren dhe gjithashtu e shihte veten si një mesfushor qendror.

Koha e Soucekut te Zizkovi ishte e vështirë. Klubi nuk kishte para të mjaftueshme për të paguar për mirëmbajtjen e fushës në stadiumin e tij, kështu që mori vendim që seancat stërvitore të zhvilloheshin në një park pranë, të vendosur midis blloqeve të apartamenteve.

Lojtarët mund të shiheshin duke vrapuar në barin e gjatë, ndërsa banorët bënin shëtitje me qentë e tyre vetëm disa metra larg. Lojtarët po mësonin formacionet taktike midis pemëve.

“Kur trajneri na tha që të bënim një rrokullisje përpara, ne nuk donim. Ne kurrë nuk e dinim se në çfarë do të binim”, kujton Soucek.

Ai luajti 14 ndeshje në divizionin e dytë dhe u kthye te Slavia në verën e vitit 2015. Slavia e kishte trajner Dushan Uhrinin dhe kishte probleme të mëdha.

“Ishte një kohë shumë e vështirë, sepse unë kur erdha klubi nuk kishte para. Tomas ishte me fat në atë kohë. Ne vendosëm të sillnim të gjithë lojtarët e rinj nga huazimi, sepse nuk kishim para për të blerë lojtarë të rinj”, thotë Uhrin.

Uhrin vendosi ta fusë Soucekun në formacionin startues në xhiron e parë të kampionatit kundër Viktoria Plzenit që ishte kampione në fuqi.

“Unë nuk isha vërtet i bindur, por nuk kisha zgjidhje tjetër. Isha i shqetësuar nëse ai mund të përballej me kundërshtarët, por Soucek filloi të shënonte edhe nëse luante si një mesfushor mbrojtës”, tha Uhrin.

Nën urdhrat e trajnerit Uhrin, Soucek shënoi shtatë gola në 29 ndeshje në kampionat. Uhrin kujton një seancë stërvitore kur një lojtar i Slavias ndërhyri ndaj Soucekut dhe e dëmtoi keq. Ai thotë se të gjithë në klub u nervozuan me atë ndërhyrje.

“Në atë moment kuptova se ai ishte i pazëvendësueshëm për ne”, thotë trajneri. “Pas disa muajsh unë isha duke biseduar me agjentin e tij dhe thashë se Soucek mund të luante në Bundesligë, por ai më tha se isha i çmendur”.

Uhrin e kuptoi se kishte një lojtar të veçantë ndonëse edhe ai ishte skeptik në fillim. Uhrin e përshkruan Soucekun si një djalë të qetë dhe të ndrojtur, i cili ishte një fanatik i futbollit dhe bënte seanca trajnimi shtesë. Duke punuar shumë, një mesfushor që nuk spikati kurrë në Akademi, papritmas u bë lojtari kryesor i Slavias.

“Ka kompjuter në kokë”

Në shtator të vitit 2015, kompania “CEFC China Energy Company” e bleu Slavian dhe klubi u kthye në majën e ligës çeke. Uhrin u shkarkua në gusht të vitit 2016 dhe Soucek u largua për një huazim tjetër, në skuadrën e nivelit të lartë Slovan Liberec. Atje ai u takua përsëri me trajnerin Trpisovsky që e kishte pasur te Zizkovi. Disa muaj më vonë ata të dy ishin te Slavia dhe Trpisovsky ndërtoi ekipin përreth Soucekut. Në sezonin e tyre të parë, Slavia përfundoi e dyta pas Plzenit dhe një vit më vonë e fitoi titullin e kampionit, me Soucekun që shënoi 13 gola në 34 ndeshje.

Trpisovsky e donte Soucekun dhe e kishte përshkruar mesfushorin si një lojtar që ka “një kompjuter në kokën e tij”. Dhe nën urdhrat e Tripsovskyt, Soucek arriti të bëhet i rregullt në ekipin përfaqësues. Slavia luajti në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve sezonin e kaluar, ku pati duele të vështira me Barcelonën, Interin e Borussia Dortmundin.

Në harkun e dy javëve, Soucek udhëhoqi Republikën Çeke në një fitore të rëndësishme 2:1 kundër Anglisë në kualifikimet për “Euro 2020” dhe ishte një nga lojtarët më të mirë në fushë në humbjen minimale të Slavias, 2:1, kundër Barcelonës. Soucek ka treguar se nuk e kishte problem të përballej me disa nga mesfushorët më të mirë të Evropës.

“Trpisovsky e dinte mirë që Soucek ishte i jashtëzakonshëm edhe për standardet evropiane”, thotë Cermak. “Ai u përpoq të bindte krerët e Slavias që të mos e shisnin për një tarifë të ulët. Edhe oferta e West Hamit ishte shumë e vogël, sipas tij”.

West Hami mori lojtarin e dëshiruar duke e bërë atë futbollistin më të shtrenjtë në historinë e ligës së Çekisë. Në vitin e tij të parë në West Ham, Souceku shënoi dhjetë gola në 33 ndeshje në Premier League. Soucek e ka dëshmuar veten si lojtar i gjithanshëm, i aftë për të vrapuar pa pushim. 12.2 kilometra mbulon mesatarisht në ndeshjet e kampionatit anglez këtë edicion. Ai krahas tipareve mbrojtëse, ka edhe aftësi sulmuese që ka tërhequr vërtet vëmendjen.

“Soucek është pak i modës së vjetër në shumë mënyra, por qëndrimi dhe përkushtimi i tij ndaj ekipit është i pakrahasueshëm”, ka thënë trajneri i West Hamit, David Moyes.

Megjithatë, ish-trajneri i tij te Slavia, Uhrin është njeriu i vetëm që nuk ka mbetur i befasuar me ngritjen e Soucekut, të cilin dikur askush nuk e donte në ekip. Madje ai paralajmëron se edicionin tjetër Soucek do të luajë në një ekip të madh të Evropës.

“Kam thënë atëherë dhe e them edhe tani. Nuk do të habitem nëse Soucek transferohet te Bayerni, sepse ka aftësi për të luajtur në cilindo ekip të madh të Evropës”, tha Uhrin.

West Hami po shpreson që Souceku do ta ndihmojë të luajë në Ligën e Kampionëve derisa Anglia po shpreson që mesfushori mos ta dëmtojë në ndeshjen e fazës së grupeve të “Euro 2020”, kur do të përballet me Çekinë në këtë verë. (BBC)

Të ngjashme