Ngritja e yllit të Dallasit: Nga rrënjët sllovene drejt suksesit në NBA

Prishtinë | 27 Kor 2020 | 08:42 | Nga Ekonomia Online

Luka Donçiq buzëqeshi dhe e lëvizi kokën para 15 mijë të pranishmëve, të cilët shpërthyen në palestrën “WiZink Center” të Real Madridit.

Gjuajtja e tij e saktë për tri pikë nga largësia dukej sikur do të ndalej në ajër, tifozët mbetën me gojë hapur derisa e përcillnin lëvizjen e topit, shumë larg, shumë drejt, shumë sigurt. Topi hyri brenda në rrjetë, shkruan BBC. 

Rivaliteti mes Real Madridit dhe Barcelonës është i njohur për duelin e futbollit, por “El Clasico” është shumë i nxehtë edhe në basketboll, gjithashtu. Shënimi i Donçiqit në fund të periudhës së tretë kundër Barcelonës në dhjetor të vitit 2017 ishte po aq madhështor sikurse ato që ofrojnë Lionel Messi e Cristino Ronaldo në fushën e futbollit. Ai qysh atëherë me vetëm 18 vjet përshkruhej si shpresa më e madhe që e ka prodhuar Evropa. Numrat e tij në atë ndeshje – 16 pikë, gjashtë kërcime dhe shtatë asistime ishin modeste për standardet e tij.

Por, zgjuarsia dhe saktësia, besimi prapa buzëqeshjes, ishin shenja se ai shumë shpejt do të ngjitej më lart se Euroliga. Potenciali i tinejxherit i kalonte kufijtë. Brenda një viti, Donçiq ka dhuruar shumë momente të ngjashme edhe në NBA. Ai e fitoi çmimin “Rookie” i vitit në fund të sezonit të tij të parë me Dallas Mavericks dhe para se pandemia e koronavirusit të sillte pezullimin e edicionit 2019/2020, ai me mesatare ishte afër të arrinte “triple-double” me 28.7 pikë, 9.3 kërcime dhe 8.7 asistime për ndeshje, duke bërë që të futet në diskutime edhe për çmimin MVP, tani në moshën 21-vjeçare.

Donçiq ka pasur talent të madh qëkur i bëri hapat e parë në ndeshje garuese basketbolli, në moshën shtatëvjeçare. Ata të cilët e kanë njohur, asnjëherë nuk kanë dyshuar se ai do të shkëlqente në skenën më të madhe të kësaj loje. Vetëm se nuk e kanë menduar që kaq shpejtë. Basketbolli ka qenë pjesë e pandashme në jetën e hershme të Donçiqit. Babai i tij, Sasha, ka luajtur si profesionist në Slloveni, Serbi dhe Francë, ndërsa kumbari i tij është ish-qendra e ekipeve të NBA-s, San Antonio, Minnesota dhe Toronto, Rasho Nesteroviq. Donçiqi i ri, qëndronte prapa koshit kur babai i tij luante, dhe hynte në parket në pushimin mes pjesëve për të praktikuar gjuajtjet. Kur Sasha Donçiq iu bashkua Olimpijas në vitin 2007, Luka po ashtu nënshkroi për klubin dhe hyri në mesin e fëmijëve të tjerë në grupmoshën U10. Kjo lëvizje e solli atë nën përcjelljen e Grega Brezovec – por shumë shkurt.

“Isha trajner i tij për saktësisht 16 minuta”, thotë trajneri i shkollës së basketbollit të Olimpijas.“Ai ishte dukshëm më i gjatë se fëmijët e tjerë të moshës së tij, edhe pse ishte shumë më i mirë se të tjerët, ai gjithmonë ka qenë lojtarë i mirë ekipor dhe lider. Ishte shumë e dukshme se basketbollin e ka në gjak”.

Donçiq më pas lëvizi drejt grupmoshës U12 ditën tjetër. Dy vjet më vonë, në kohën kur ai ishte 12-vjeçar, emri i tij pëshpëritej nga zbuluesit kryesor të Evropës. Ai kishte vazhdimësi dhe prezencë dominuese në garat e të rinjve në Slloveni dhe kur përzgjedhësi i Olimpijas për grupmoshën U12 apo U13 do të shkonte jashtë, ai do të paraqitej njësoj ndaj Barcelonës, Lazios dhe shumë ekipeve tjera. Me gjatësi më të madhe se 182 centimetra, ishte dominues fizikisht, i qetë dhe operator teknik me topin në duart e veta, orkestronte sulmet dhe bënte shënime të vazhdueshme të pikëve. Pavarësisht buzëqeshjes së tij, ishte konkurrent i ashpër.

“Të gjitha lëvizjet që i shihni tani që i bën në NBA, i kemi parë në Slloveni kur ka qenë i ri”, thotë kreu i akademisë së basketbollit të Olimpijas, Lojze Sisko, i cili ishte trajner i Donçiqit nga mosha 11 deri në 13-vjeçare.

“Natyrisht, tani është më i madh, më i fortë dhe më i shpejtë, por ashtu siç luan, siç e lexon basketbollin –të gjitha i kemi parë në Lubjanë”, thotë ai.

Atëkohë, ekipe të mëdha evropiane ishin vënë në kërkim të sllovenit të ri.

Të ngjashme