Nis misioni “Fair Play Financiar”, strategjia e Interit përfshin të rinjtë

Prishtinë | 12 Qer 2018 | 09:33 | Nga

Për Interin ka filluar numërimi mbrapsht, në pritje të 30 Qershorit, datë në të cilën duhet të ketë rikuperuar rreth 45 milionë euro në bilancin vjetor.

Pikërisht për këtë arsye, Piero Ausilio ka filluar nga puna, duke përdorur strategjinë e shitjes së elementëve të rinj, për të rikuperuar ato para.

Kështu pasi rikuperoi disa miliona nga shitja e Kondogbia, Interi ka shitur për shifrën e 7 milionë eurove edhe mbrojtësin 19-vjeçar Bettella, te skuadra e Atalantës.

Në marrëveshjen e shitjes, Interi ka ruajtur të drejtën e riblerjes, ndërsa dy klubet kanë rënë dakord për kalimin e menjëhershëm të Alessandro Bastonit te zikaltrit. Ky i fundit është një mbrojtës me perspektivë, të cilin Interi e ka blerë që para dy sezonesh nga Atalanta dhe e ka lënë në huazim deri këtë muaj.

Aktualisht thuhet se zikaltrit kanë rikuperuar më shumë se 15 milionë euro në total, ndërsa brenda javës pritet të përfundojë shitja e dy futbollistëve të tjerë të akademisë, te skuadra e Genoas, kundrejt një shume të majme.

Shitja e talenteve, duke ruajtur të drejtën e riblerjes, duket më shumë si strategji e Ausilios për të rikuperuar paratë e nevojshme, sesa si interes real i klubeve për këta lojtarë.

kjo kuptohet qartë edhe nga situata e Dimarcos, një mbrojtës që Interi e shiti për 7 milionë euro sezonin e kaluar te zviceranët e Sionit dhe e ribleu sërish tani, ndonëse ai nuk bindi aspak në kampionatin e Zvicrës.

Të ngjashme