Nis një tjetër krizë në Barcelonë, gjashtë drejtorë japin dorëheqje

Prishtinë | 10 Pri 2020 | 08:54 | Nga Ekonomia Online

Gjashtë anëtarë të bordit drejtues të Barcelonës e kanë informuar presidentin e klubit, Josep Maria Bartomeu, për vendimin e tyre për të dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre, pasi që e bënë të qartë se dyshojnë në lidershipin e klubit dhe se dëshirojnë zgjedhje të reja.

Zëvendëspresidentët Emili Rousand dhe Enrique Tombas janë në mesin e anëtarëve të bordit që kanë dhënë dorëheqje, bashkë me Silvio Elias, Maria Teixidor, Josep Pont dhe Jordi Clasamiglia, transmeton Gazeta Express.

Dorëheqjet e tyre u konfirmuan përmes një letre të ashpër drejt Bartomeut, pasi që ata kërkuan që të rishikohen të gjithë anëtarët e bordit sa më shpejt që të jetë e mundur për t’u siguruar që Barcelona të mundë të kthehet nga sfidat me të cilat po e përball koronavirusi.

“Ne e kemi arritur një pikë që nuk kemi mundësi t’i kthejmë kriteret dhe formën e menaxhimit në klub kur jemi para sfidave të rëndësishme të së ardhshme dhe, veçanërisht, nga skenaret post-pandemisë”, thuhet në letrën e grupit.

“Ne duam ta theksojmë se nuk jemi aspak të përfshirë në skandalin famëkeq të rrjeteve sociale, të njohur si Barcagate, për të cilin ne mësuam përmes medieve”.

“Si shërbim të fundit ndaj klubit, ne rekomandojmë që të mbahen zgjedhjet e reja sapo ta lejojnë këtë rrethanat, në mënyrë që të ketë autoritet që do ta menaxhojë klubin në mënyrën më të mirë të mundshme në sfidat e rëndësishme të ardhmes së afërt”.

Bartomeu, i cili ka qenë në krye të gjigantit spanjoll që nga korriku i vitit 2015, ka qenë nën presion të madh në pozitën e presidentit gjatë këtij sezoni.

Këtë javë u raportua se Bartomeu po tentonte t’i detyrë disa anëtarë të bordit të japin dorëheqje, pasi që mendonte se ata nuk janë besnikë ndaj tij. Më së shumti ai dëshironte ta largonte Rousandin, i cili konsiderohet si pasardhësi i tij në pozitën e presidentit.

Të ngjashme