Nivel i lartë i referimit në sezonin që lamë pas në futboll

Prishtinë | 06 Qer 2018 | 14:46 | Nga

Sezoni i Superligës së futbollit në Kosovë ka përfunduar derisa referimi mbetet njëra nga pikat kryesore gjatë një sezoni në futboll. U cilësua si një prej sezoneve më të mira në futbollin kosovar, të njëjtën gjë si duket e ndjejnë edhe referat e Kosovës.

Kryetari i Komisionit për gjyqtarë në Federatën e Futbollit të Kosovës, Përparim Hasani tregon se përballen me fyerje, sulme fizike, e çka jo tjetër, si nga tifozët edhe nga futbollistët.

Ai pranon se kanë presione nga kryesitë e klubeve të ndryshme. Nuk jep emra.

“Po vet fakti i sezonit tregon, ajo ku në xhiron e fundit nuk është ditur kush do tëbëhet kampion dhe kush po shpëton ose kush po mbet në barazh, për këtë sezon të merituar janë edhe referat. Unë me të vërtetë jam i kënaqur, kanë treguar ndeshje të mira, gjithmonë e kam cekur se ka pasur edhe gabime por ne kemi punuar në atë drejtimin që ti eliminojmë gabimet. Në kohën kur unë kamë referuar me krahasuar kohën time me tashmen janë kushtet më të mira. Unë dua ta ceki se edhe lojtarët janë vetëdijesuar, po luajnë korrekt po ashtu edhe kryesitë e klubeve, megjithëse presioni është që dëshirojnë të dalin në Evropë, por sa i përket anës së referimit unë jam këtë vit shumë i kënaqur”, ka thënë ai.

Ndërkaq njëri nga referët më të mirë kosovar, Genc Nuza i cili ka referuar rreth 10 ndeshje ndërkombëtareështë i gëzuar me faktin se niveli i referimit po rritet vit pas viti, si dhe vetëdijesimi dhe sjellja e lojtarëve në fushëështë duke u ngritur, andaj sipas tij në vitet e ardhshme do të jetë më e lehtë të referohet në fushat e futbollit kosovar.

“Sa i përket nivelit në referim është e dukshme që kemi ngritje jashtëzakonisht të madhe këtë po e them me plotë përgjegjësi sepse duke u bazuar në vitet e kaluar jo duke paragjykuar kolegët tanë, të cilët kanë qenë më herët por duke e parë cilësinë dhe gjeneratat e reja kanë ardhur në Superligë dhe ndërrimi i gjeneratës ka bërë që të kemi një ngritje të madhe ne referim. E kam potencuar edhe më herët sepse sjellja e lojtarëve në fushë është jashtëzakonisht shembullore, ne kemi të bëjmë me lojtarë të cilët i respektojnë vendimet e gjyqtarëve, por ndonjëherë lojtarët janë të ndikuar prej disa trajnerëve po e them disa trajnerëve dhe disa kryesive të klubeve. Për disa ditë do të fillojë përgatitjet për kualifikimet e Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës unë pres të kemi delegime ka sinjale që do të kemi ndeshje gjatë muajit korrik dhe shpresoj ndeshje sa më shumë në Evropë”, deklaroi Nuza.

Puna e ‘këmishëzinjve’ pritet të respektohet edhe më shumë viteve në vijim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme