Një klub kërkon pezullimin e sezonit, por jo edhe të tjerat

Prishtinë | 07 Pri 2020 | 08:43 | Nga Ekonomia Online

Futbollistët e Diriangen, klubit më të vjetër në Nikaragua, i vendosën maskat në fytyrë përpara se të rreshtoheshin për fillimin e ndeshjes dhe të shpresonin për më të mirët. Diriangen përballej në shtëpi me ekipin Walter Ferretti në kuadër të xhiros së 14-të të Liga Primera të Nikaraguas.

Në fund ndeshja përfundoi me fitoren minimale 2:1 të ekipit vendas dhe i ndihmoi të ngrihet në kuotën e 27 pikëve, duke u renditur në pozitën e tretë, por me pikë të njëjta me Real Esteli. Real Esteli barazoi 1:1 në udhëtim kundër liderit Managua që tani ka 30 pikë. Pas 14 xhirosh, gara për titullin e kampionit në elitën e futbollit të Nikaraguas, që përbëhet prej dhjetë skuadrave, është bërë më e ashpër se kurrë, pavarësisht përhapjes së koronavirusit në mbarë botën.

Në fakt, Liga Primer e Nikaraguas është njëri prej tri kampionateve në botë që po i vazhdon garat me gjithë rrezikun nga koronavirusi. Kampionati i futbollit po vazhdon të luhet edhe në Bjellorusi, Burundi dhe së fundi në Taxhikistan. Por në Nikaragua përhapja e koronavirusit ka filluar të ngjallë frikë dhe mosbesim te futbollistët. Te Diriangen FC kanë pranuar se futbollistët nuk po dëshirojnë të luajnë, por janë kontratat ato që po i detyrojnë ta bëjnë një gjë të tillë. Ata po frikësohen për shëndetin e tyre.

“Lojtarët tanë nuk duan të vazhdojnë të luajnë”, thotë menaxheri i përgjithshëm i Diriangen FC, Sergio Salazar. “Ata kanë shumë frikë dhe ne i kuptojmë plotësisht. Ne duam që garat të pezullohen sikurse në vendet e tjera për shkak të koronavirusit, por pothuajse të gjitha klubet kanë votuar dhe shumica e tyre duan të vazhdojnë të luajnë”.

Edhe pse rrethanat po shqyrtohen çdo javë në një vend si Nikaragua që ka të konfirmuara pesë raste të prekura me virusin COVID-19, Diriangen ishte klubi i vetëm elitar që kundërshtoi vazhdimin e garave në takimin e fundit mes skuadrave që u mbajt të martën. Shumica e klubeve të tjera insistojnë se dëshirojnë të luajnë derisa Ministria e Shëndetësisë nuk jep alarmin për ndërprerjen e kampionatit.

“Unë nuk po mund t’i kuptoj klubet e tjera që duan të luajnë, duke rrezikuar futbollistët e tyre. Jam i bindur se futbollistët nuk duan të luajnë, por sërish peng mbeten kontratat dhe kërkesa e zyrtarëve që kampionati të mos ndërpritet”, thotë Salazar.

Zgjedhja e kësaj situate duket se kërkon një udhëtim në botën komplekse dhe të errët të futbollit në Nikaragua. Pothuajse të gjitha rrugët tani dërgojnë te presidenti i vendit, Daniel Ortega, një burrë i fortë për të cilin futbolli përfaqëson një krah të fuqishëm të fuqisë së brendshme dhe një vizion të stabilitetit për botën e jashtme.

“Duket se nuk kemi zgjidhje tjetër, veçse t’i drejtohemi presidentit Ortega, i cili besoj se e kupton situatën”, shtoi Salazar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme