Një lojtar i Bournemouthit me Coronavirus

Prishtinë | 24 Maj 2020 | 14:02 | Nga Ekonomia Online

Një lojtar i Bournemouthit, është një nga dy rastet e reja të zbuluara me koronavirus në Premier League, në raundin e fundit të testimeve, shkruan BBC. Numri total i rasteve pozitive në klubet e Premier Leagues në dy raundet e para të testimeve për COVID-19 është tetë, shkruan BBC.

Bournemouthi nuk ka zbuluar identitetin e lojtarit, por ai do të vetizolohet për shtatë ditë. Rasti i tjetër ishte te një klub tjetërdhe po ashtu nuk është bërë i ditur emri.

Testimet janë bërë të martën, enjten dhe premten, ku janë testuar në total 996 lojtarë dhe anëtarë të stafit.

“Pas aplikimit të rregullave strikte të Premier Leagues për kthimin në stërvitje, kompleksi stërvitor i klubit mbetet ambient i sigurt pune për lojtarët dhe stafin, që do të vazhdojnë të testohen për COVID-19 dy herë në javë”, është thënë në komunikatë të Bournemouthit.

Në raundin e parë të testimeve, rezultatet e të cilave janë publikuar më 19 maj, ishin gjashtë raste pozitive. U testuan 748 lojtarë dhe anëtarë të stafit.

Në këtë raund ishin konfirmuar pozitiv lojtar i Watfordit, Adrian Mariappa dhe ndihmës-trajneri i Burnleyt, Ian Woan.

Të ngjashme