Një lojtar i rrallë si Milot Rashica

Prishtinë | 05 Pri 2019 | 09:22 | Nga Ekonomia Online

Ndonëse ende në fazë të hershme të karrierës, Milot Rashica shpejt ka kaluar me suksese të gjithë lojtarët që prej futbollit kosovar kanë kaluar në nivel evropian.

Me formën aktuale, ai po kalon edhe të gjithë lojtarët e përfaqësueses së Kosovës, të paktën nëse bëhet fjalë për paraqitjet e këtij edicioni. Dhe ngadalë po zë vend në mesin e futbollistëve më të mirë shqiptarë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Rashica së fundi është i pandalshëm në një skuadër që nuk di për humbje në vitin 2019 e që bën pjesë në një prej ligave më të forta evropiane. Në katër ndeshjet e fundit me Werder Bremenin, Rashica 22-vjeçar ka kontribuar me pesë gola e një asistim. I frymëzuar nga forma e lartë e Rashicës, por edhe lojtarëve të tjerë, Werderi të mërkurën mbrëma siguroi gjysmëfinalen e Kupës së Gjermanisë, ndërsa është ngritur në pozitën e gjashtë në Bundesligën e Gjermanisë.

Kjo vlerësohet një ngritje e madhe për Werderin, por ngritja e Rashicës e kalon atë të skuadrës. Jo shumë kohë më parë ai nuk kishte besimin e plotë të trajnerit. Dhe tani trajneri ka fjalët më të mira të mundshme për të.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme