Një vit nga ikja e legjendës që vuri themele të forta për futbollin

Prishtinë | 08 Qer 2019 | 09:31 | Nga Ekonomia Online

Të enjten në Andorrë, përfaqësuesja U-21 e Kosovës shënoi fitore të thellë. Të premten përfaqësuesja A e Kosovës në futboll luajti ndeshje në Podgoricë ndaj Malit të Zi.

Feronikeli e Prishtina po përgatiten për ndeshje në Kupa Evropiane, ndërsa aktivitete ndërkombëtare i presin edhe përfaqësuesen e futbollisteve e po ashtu ato të grupmoshave të reja të futbollistëve, shkruan sot “Koha Ditore”.

Futbolli kosovar ka disa vite që është në rritje të hovshme. Ndër më meritorët për këtë vlerësohet Fadil Vokrri, legjenda e futbollit kosovar.

Vokrri ka ndërruar jetë më 9 qershor të vitit 2018, pas një sulmi në zemër. U nda nga jeta në moshën 57-vjeçare, por vlerësohet se në kohën sa ishte kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës ka vënë themelet e forta të futbollit kosovar.

Vokrri ka drejtuar FFK-në për mbi një dekadë, ndërsa ka udhëhequr Federatën në procesin e vlerësuar si shumë të vështirë, të pranimit në UEFA e FIFA. Pas shumë përpjekjeve, më në fund në vitin 2016, FFK-ja u pranua në UEFA e FIFA. Menjëherë atë vit Kosova nisi me ndeshje zyrtare eliminatore, ndërsa më pas edhe përfaqësueset e tjera e po ashtu klubet. Hapa të mëdhenj para janë bërë gjatë tre vjetëve pranim të plotë në skenën ndërkombëtare, ndërsa hapa të tjerë synohen në vitet në vazhdim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme