Nora Gjakova, e artë në Gjeorgji

Prishtinë | 29 Mar 2019 | 16:34 | Nga Ekonomia Online

Kampionia e Evropës, Nora Gjakova, ka triumfuar në Grand Prixin e Gjeorgjisë, në kategorinë e peshave deri në 57 kilogramë, duke ia fituar Kosovës medaljen e artë të kësaj gare.

Në finale, xhudistja kosovare u tregua shumë e fortë për brazilianen Rafaela Silva, të cilën e mposhti me ippon.

Po kaq mbresëlënëse sa në finale, Gjakova ishte treguar edhe në tri përballjet e tjera që i zhvilloi në Gjeorgji, në rrugëtimin drejt medaljes së artë.

26-vjeçarja e filloi rrugëtimin në rrethin e dytë të ndeshjeve, pasi që rrethin e parë e kaloi pa luftë. Në këtë fazë, Gjakova e mposhti me ippon xhudisten turke, Syema Ozerler.

As kundërshtarët tjera, vendasja Eteri Liperteliani në çerekfinale dhe holandezja Sanne Verhagen në gjysmëfinale, nuk arritën ta ndalin sportisten më të mirë të Kosovës për vitin 2018, të zgjedhur nga Komiteti Olimpik i Kosovës.

Kjo është medalja e tretë e artë për Nora Gjakovën, e cila vitin e kaluar kishte triumfuar edhe në Kampionatin Evropian në Tel Aviv dhe në Lojërat Mesdhetare në Tarragona. Në kabinetin e saj i ka edhe tri medalje të bronzta: Në Varshavë (2017), Kazan (2016) dhe në Baku (2015)

Në këtë garë, Kosovën të dielën do ta përfaqësojë kampionia e Evropës për U-23, Loriana Kuka, e cila do të tentojë ta përsërisë suksesin e bashkëkombëses së saj, në kategorinë deri në 78 kilogramë.

Xhudistët e tjerë si Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi e Akil Gjakova, do të pushojnë. Të pesë xhudistët kosovarë momentalisht kanë normat Olimpike Tokio 2020. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme