Nordsjaelland, klubi që po e përkrah projektin e Matas

Prishtinë | 07 Gus 2018 | 13:30 | Nga

Ka kaluar një vit prej se Juan Mata ndihmoi promovimin e organizatës “Common Goal” që kërkon prej anëtarëve të saj të japin si donacion një për qind të pagës për projekte globale humanitare.

Mats Hummels, Kasper Schmeichel, Giorgio Chiellini, Alex Morgan e Alfie Mawson janë në mesin e sportistëve që kanë firmosur për këtë projekt, kurse këtë verë është bashkuar edhe një ekip.

FC Nordsjaelland ka dhënë një për qind prej të hyrave nga ndeshja kundër Cliftonvillet, që u zhvillua në Danimarkë në kuadër të eliminatoreve për Ligën e Evropës, shkruan “The Guardian”, transmeton “Koha Ditore”. Të njëjtën gjë ekipi danez do ta bëjë edhe këtë javë, kur do ta presë në shtëpi Partizanin e Beogradit. Ndërsa do të vazhdojë të ndajë një për qind të të hyrave nga shitja e biletave si vendas gjatë tërë edicionit 2018/19.

FC Nordsjaellandi është nga qyteti i vogël Farum, rreth 25 kilometra në veri të Kopenhagës. Stadiumi i tij është i emërtuar “Right to Dream Park” (Parku i të drejtës për të ëndërruar), që nënvizon lidhjen midis klubit të superligës daneze dhe një akademie futbollit në Ganë.

Kjo lidhje ka të bëjë me Tom Vernonin, presidentin anglez të klubit nga Danimarka, i cili në vitin 1999 ka themeluar në Ganë akademinë e futbollit “Right to Dream” (E drejta për të ëndërruar).

Vernon, dikur skaut i Manchester Unitedit në Afrikë, e bleu FC Nordsjaellandin në dhjetor të vitit 2015, kryesisht për të gjetur një klub për më të mirët e akademisë së tij. Vernon po shpreson se Nordsjaellandi deri në vitin 2020 do të ketë përbërjen e ekipit të parë të përzier: me lojtarët e akademisë së vet dhe ata të akademisë së Ganës.

Kur Nordsjaellandi shet një lojtar të akademisë nëpër klubet e tjera të Evropës, paratë që i merr prej transferimit i investon në akademi. Vernon thotë se të gjitha paratë që klubi i përfiton, kthehen në akademi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme