Notarët të fundit në Evropian, por thyejnë rekorde të Kosovës

Prishtinë | 07 Gus 2018 | 10:10 | Nga

Notarët Dren Ukimeraj dhe Fjorda Shabani kanë thyer dy rekorde të Kosovës në kampionatin evropian që po mbahet në Glasgow të Skocisë. Por notarët e Kosovës në Evropian përfunduan të fundit në disiplinat ku morën pjesë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ukimeraj në disiplinën 200 metra krol arriti ta thyejë rekordin e Kosovës, duke e përfunduar garën për dy minuta, tre sekonda e katër të qindtat, kurse Shabani 100 metra shpinë arriti t’i përfundojë për një minutë, pesë sekonda e 87 të qindtat.

Pjesëmarrës në këtë garë kanë qenë edhe Eda Zeqiri në 100 metra shpinë dhe Dion Kadriu në 200 metra krol. Zeqiri e përfundoi për një minutë, nëntë sekonda e 75 të qindtat, derisa Kadriu për dy minuta e pesë sekonda.

“Në plasmanin e përgjithshëm, Ukimeraj u rëndit i 61-ti, derisa Kadriu i 62-ti nga po aq pjesëmarrës, derisa Shabani ishte e 45-ta dhe Zeqiri e 47-ta nga po aq pjesëmarrëse. Urojmë sportistët për rekordet e arritura. Urojmë paraqitje edhe më të mira në ditët në vazhdim të këtij kampionati”, thuhet në njoftimin e Federatës së Notit të Kosovës (FNK).

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme