Lojtarë kishin angazhim më të madh se ndeshjet e kaluara dhe luftuan shumë për çdo top.

Me kalimin e ndeshjeve skuadra po merr formë dhe barazimi me Finlandën i arritur nga entuziazmi duhet të harrohet, shkruan Telegrafi.

Këtë vit nuk ka më ndeshje dhe duhet të punohet që në ndeshjet e ardhshme të zvogëlohet numri i gabimeve.

Samir Ujkani – 7

Më i mirë nga lojtarët tanë. U tregua kapiten i vërtet në këtë ndeshje. Në pjesën e parë fantastik dhe pritjeve të tij do tua kishte lakmi edhe Giggi Buffon. Në të dy gola e pjesës së dytë nuk kishte edhe aq faj, sidomos te goli i parë.

Benjamin Kololli- 6

Mbrojtës i mirë krahu. Hera e parë që u paraqit me fanellën e Kosovës dhe e nderoi atë. Fitoi shumë duele me lojtarët turq. Në sulm duhet të bëjë më shumë.

Alban Pnishi –  6

Më mirë se në ndeshjet e kaluara. Më i sigurt, por frikësohet të luajë me topin. Po fiton përvojë dhe konkurrenca me Loret Sadikut do t’i bëjë më mirë.

Amir Rrahmani – 5

Më i dobëti te Kosova. Në golin e parë Yilmaz ia pranoi topin dhe shënoi para fytyrës së tij. Edhe te goli i dytë ishte duke e markuar sulmuesin që goditi shtyllën ku edhe ra goli nga topi i kthyer.  Edhe te kartoni i verdhë ishte me vonesë.

Fanol Perdedaj – 5.5

Lufton shumë, por duhet të punojë më shumë në sulm. Pjesa e parë e mirë, por në të dytën humbi disa herë ekuilibrat.

Enis Alushi – 6

Kthimi i Enisit i bëri mirë mesfushës së Kosovës. Lufton për çdo top dhe i jep personalitet skuadrës. Duhet të jetë më i saktë në pasime.

Herolind Shala – 6.5

Më i miri në mesfushë e Kosovës. Edhe pse luan jashtë pozicionit të tij ai fiton edhe topa dhe shpërndan lojën mirë. Futi në zjarr disa herë sulmuesit me disa pasime shumë të sakta. Madje u shënua një gol nga një aksion i bukur që u nis nga ai që duhet të shikohet pozita jashtë lojës.

Valon Berisha – 6

Berisha tërheq skuadrën përpara dhe godet edhe shtyllën në fund të pjesës së parë. Duhet të punojë më shumë dhe kur e ka topin të lirohet më shpejtë.

Milot Rashica – 5.5

Vetjak në shumë raste. Mirë e gjen krahun dhe pason një herë te Berisha ku e gjen edhe shtyllën. Shumë shpesh futet në dribling pa nevojë kur mund të pasoj. Muriqi nuk ia pason topin në një rast të mirë, gjë që ia shpesh ua bën të tjerëve.

Arbër Zeneli – 6

Tentoi të bëjë më shumë, por nuk prodhon rrezik. Harkimet e tij nuk gjetën lojtarët tanë, përveç një rasti te Rrahmani. Luajti në pozitën e tij dhe u tregua më i mirë se në ndeshjet e kaluara.

Vedat Muriqi – 5.5

Ndeshja e dytë nga minuta e parë. Fiton disa duele me mbrojtësit, por nuk rrezikon golin. Kishte rast të pasonte te Rashica, por tregohet vetjak dhe bllokohet.

Albert Bunjaku – 5.5

Ndeshje e përgatitur më mirë se të kaluarat. Skuadrën e vendosi mirë dhe ka mundur të shkoj edhe me golin e epërsisë në pjesë e parë. Dobësia e tij mbeten zëvendësimet. Ishim duke humbur 2-0 dhe nuk bëri asnjë zëvendësim.