Nurmagomedov: E sulmova ekipin e McGregorit sepse më ngacmuan në islam

Prishtinë | 07 Tet 2018 | 11:33 | Nga Ekonomia Online

Khabib Nurmagomedov mbrojti veprimet e tij të dhunshme pasi mposhti Conor McGregorin në UFC 229 dhe tha se presidenti rus, Vladimir Putin ishte “krenar” me të – pavarësisht mënyrës së eskalimit të tij në Arenën T-Mobile.

Nurmagomedov dha një deklaratë të shkurtër për media pas fitores së tij në rundin e katërt ndaj McGregorit dhe dhunës që pasoi, raporton “USAToday”.

“Fillimisht, dua t’i kërkoj falje Komisionit të Atletikës Nevada”, tha para gazetarëve Nurmagomedov, tani me 27 fitore dhe 0 humbje dhe ende kampion i peshave të lehta në UFC. “Nuk është kjo ana ime më e mirë”.

“Por (McGregor) foli për besimin tim, foli për babanë tim. Përse njerëzit flasin se si u hodha në ring? Ai erdhi në Brooklyn dhe gati sa nuk vrau disa njerëz”, theksoi kampioni i UFC-së, transmeton Koha.net.

Këto komente kanë të bëjnë me mënyrën se si Nurmagomedov e kaloi oktogonin për t’u përleshur me anëtarët e ekipit të McGregorit pak minuta pasi McGregor goditi dyshemenë me dorë për t’u dorëzuar – por edhe për sulmin e tmerrshëm të irlandezit në një autobus që po e bartte Nurmagomedovin në Brooklyn në muajin prill të këtij viti.

Komisioni nuk ia dha çekun prej 2 milionë dollarësh Nurmagomedovit të shtunën mbrëma deri në një vendim pas hetimit të ngjarjeve.

Edhe McGregor bëri disa komente sarkastike ndaj rusit gjatë përgatitjeve për ndeshje, duke bërë komente nxitëse për familjen e tij, për besimin e tij islam dhe rajonin Dagestan të vendlindjes së tij.

“Ata e quajnë atë kampion botëror i dy kategorive, por sot ai u dorëzua”, tha Nurmagomedov. “Ky është një sport i respektueshëm, nuk është bërllok. Dua ta ndryshoj këtë lojë. Nuk dua që njerëzit të flasin me kërcënime për kundërshtarët. Për baballarët, për besimin. Nuk guxoni të flisni për besimin dhe kombin. Për mua kjo është shumë e rëndësishme”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme