Oferta e fundit e Barcelonës për Lautaron: Firpo dhe 70 milionë euro

Prishtinë | 05 Qer 2020 | 09:33 | Nga Ekonomia Online

Pasi që klauzola për shkëputjen e kontratës së Lautaro Martinezit me Interin është 111 milionë euro, Barcelona ua ka ofruar zikaltërve 70 milionë euro dhe Junior Firpin, të cilit i ka vendosur çmim prej 41 milionë eurosh.

Lautaro Martinez raportohet se mund ta lërë Interin gjatë afatit kalimtar të verës për të kaluar te kampionia në fuqi e La Ligës, Barcelona, transmeton Gazeta Express.

Sulmuesi argjentinas i shënoi 16 gola në 31 ndeshjet e zhvilluara në të gjitha garat për Interin gjatë sezonit 2019/20, para se të gjitha aktivitetet sportive të ndërpriteshin në mars shkaku i koronavirusit.

Si rezultat i paraqitjeve të tij në Serie A, Martinez shihet si zëvendësuesi i përsosur për Luis Suarezin, i cili në janar i mbushi 33 vjeç. Megjithatë, Barcelona nuk mund ta përballojë çmimin prej 111 milionë eurosh dhe po tenton ta bindë Interin me ofertë “para + lojtar”.

Gazeta spanjolle El Mundo Deportivo raporton se Barcelona ia ka vendosur Junior Firpos çmimin prej 41 milionë eurosh, ndërsa mendon t’i shtojë edhe 70 milionë euro për ta arritur vlerën e klauzolës së Martinezit.

Megjithatë, mediumet italiane raportojnë se Interi është i gatshëm të pranojë vetëm ofertë prej 90 milionë eurosh plus ndonjë lojtar, pasi që edhe zikaltërve u duhen para për të investuar në skuadër gjatë afatit kalimtar.

Mes këtyre spekulimeve të vazhdueshme për yllin argjentinas të Interit, edhe trajneri i tij në ekipin kombëtar, Lautaro Scaloni, u pyet për të ardhmen e 22-vjeçarit.

“Nëse ai luan me Messin, ai do të jetë më i mirë. Nuk kam asnjë dyshim për këtë. Përpos kësaj, më vonë, ai do të duhet të luftojë për pozitën e tij, ashtu siç bëri edhe në Inter”, ka thënë Scaloni.

“Ne duhet të jemi të qetë. Nëse ai i ndryshon klubet, ndoshta nuk i duhet të jetë titullar i padiskutueshëm dhe kjo nuk do të ndikojë te ne, për aq kohë sa ai të ketë mjaftueshëm minuta loja për të qenë në formë të mirë”.

“Ai e ka një të ardhme të madhe, por ka ende shumë për të dhënë nga vetja”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme