Ofertë e parefuzueshme, Calhanoglu mund të përfundojë në Katar

Prishtinë | 20 Maj 2021 | 10:08 | Nga Ekonomia Online

Karriera e Hakan Calhanoglus mund të pësojë një ndryshim të madh, pasi nga Serie A mund të përfundojë në elitën e futbollit në Katar.

Mesfushori turk ka katër vite që është pjesë e Milanit dhe në qershor do të largohet si futbollist i lirë nga San Siro.

Rossonerët kanë tentuar t’i vazhdojnë kontratën, por palët nuk kanë arritur marrëveshje të re për zgjatjen e saj.

Lojtari kërkohet nga Juventusi në Serie A, derisa skuadra si Chelsea, Manchester United, Liverpool e Arsenal kanë shprehur interesim për transferimin e tij në Ligën Premier.

Por ‘Tuttomercatoweb’ ka raportuar se turku ka marrë një ofertë të parefuzueshme nga Katari ku mund ta vazhdoj karrierën.

Skuadra Al Duhahil i ka bërë një ofertë të lartë financiare turkut, ofertë që e ka tunduar mesfushorin ofensivë.

Klubi nga katari i ka ofruar fillimisht një shumë prej tetë milionë eurove në momentin e nënshkrimit dhe një pagë vjetore prej tetë milionë euro të tjerave në sezon.

Kontrata është afatgjate deri në vitin 2024 dhe në rast qëndrimi deri në fundin e saj, Calhanoglu do t’i marrë 32 milionë euro nga aventura në Katar.

27-vjeçari është duke e menduar seriozisht ta pranojë ofertën e këtij klubi, pasi bëhet fjalë për një shumë të madhe të parave.

Gjithnjë sipas mediumit italian, Calhanoglu mund ta refuzojë këtë ofertë vetëm nëse ndonjëra nga klubet angleze i përafrohen shumës së parave të Al Duhalil.

Kujtojmë që aktualisht tek ky klub në Katar luan edhe ish-mbrojtësi i Romës, Juventusit dhe Bayern Munichut, Medhi Benatia.

Calhanoglu këtë edicion ka zhvilluar 42 ndeshje zyrtare me Milanin ku ka shënuar nëntë gola dhe ka asistuar në 12 të tjerë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme