O’Neal thotë se duhet të anulohet stinori në NBA

Prishtinë | 12 Maj 2020 | 09:24 | Nga Ekonomia Online

Legjenda e basketbollit Shaquille O’Neal vlerëson se NBA duhet ta anulojë këtë edicion për shkak të pandemisë COVID-19.

Stinori 2019-20 në NBA është pezullur në mars, kur kanë mbetur pesë xhiro të edicionit të rregullt dhe dy muaj ndeshje të plejofit, për shkak të pandemisë.

“Të gjithë shkoni në shtëpi, kujdesuni për shëndetin, dhe kthehemi vitin tjetër”, ka thënë kampioni i katërfishtë i NBA-së, O’Neal 48-vjeçar, shkruan BBC. “Të tentosh të kthehesh dhe të nxitosh për të luajtur plejofet? Çdo skuadër që fiton këtë vit, do ta ketë një fusnotë. Çfarë nëse një skuadër që nuk është fare në kombinim papritmas fiton titullin me formatin e ri të plejofit? Asnjëri nuk do ta respektonte këtë. Kështu që më mirë të anulohet. Duhet të kujdesemi për sigurinë e tifozëve dhe njerëzve. Të përgatitemi për vitin tjetër”.

SHBA-ja është vendi më i prekur nga koronavirusi me mbi 80 mijë të cvdekur dhe afro 1.4 milionë të infektuar.

Është raportuar se krerët e ligës NBA po bëjnë plane që të zhvillohen gjitha ndeshjet e mbetura në një vend. Opsione janë Bahamet apo Las Vegasi.

Të ngjashme