Organizim masiv i Panairit të Sportit 2018, u mbajt në 16 komuna

Prishtinë | 27 Sht 2018 | 17:46 | Nga

Është mbajtur të enjten edicioni i katërt i Panairit të Sportit 2018, i organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), në kuadër të Javës Evropiane të Sportit, që po mbahet nën patronatin e Ministrisë për Kulturë, Rini e Sport (MKRS).

Panairi u mbajt në 16 komuna, të cilat shprehën gatishmërinë për të qenë bashkëorganizatore.

Në secilën komunë pati pjesëmarrje masive të fëmijëve të shkollave fillore, të cilët panë nga afër ofertat e klubeve sportive të qyteteve të tyre, të cilat u munduan të joshin sa më shumë fëmijët.

Hapjen kryesore e bënë në Prishtinë, ministri për Kulturë, Rini e Sport, Kujtim Gashi dhe presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani.

Ministri Gashi vlerësoi lartë organizimin e Panairit të Sportit, derisa ftoi nxënësit të shohin se cili është sporti i pëlqyer për ta dhe ta bëjnë përzgjedhjen e tyre.

Ministri bëri thirrje që numri i ulët i përfshirjes së qytetarëve në sport të rritet në muajt dhe vitet e ardhshme dhe për këtë ai shprehu gatishmërinë e MKRS-së, që të bashkëpunojnë edhe më fuqishëm me KOK-un dhe federatat.

Presidenti i KOK-ut, Besim Hasani, në fjalën e tij, vlerësoi lart organizimin e Javës Evropiane të Sportit në Kosovës, duke thënë se me këtë edhe Kosova u bë pjesë e hartës së përgjithshme të Evropës, që e organizoi këtë Javë.

“Sot, secili klub do të mundohet të jetë sa më atraktiv për nxënësit dhe ju keni të drejtën e përzgjedhjes së sportit, apo ti zgjidhni 2-3 sporte dhe në të ardhmen të përcaktoheni për njërin. Është e konstatuar se fëmijët që merren me sport mësojnë më tepër dhe duam që ju edhe të merreni me sport edhe të bëheni më të shkathët”, tha presidenti Hasani, duke falënderuar arsimtarët për edukimin e fëmijëve për çka kërkoi nga ta t’i orientojnë nxënësit edhe në sport.

Drejtori i Sportit në Komunën e Prishtinës, Fitim Rexha, theksoi se komuna e ka mbështetur organizimin e Panairit të Sportit dhe do të mbështes edhe në vazhdim aktivitete të tilla.

Pas fjalimit, ministri Gashi dhe presidenti i KOK-ut, Hasani, morën si dhuratë topa nga Federata e Hendbollit të Kosovës, të cilët ua ndanë fëmijëve.

Dhjetëra klube të ndryshme për më shumë se një orë performuan para fëmijëve të shumtë të shkollave fillore, shumë prej të cilëve provonin sporte të ndryshme si futbolli, basketbolli, hendbolli (KH Istogu, fitues i Kupës për femra), volejbolli, xhudo, pingpongu, karate, tenisi, shahu, derisa u njoftuan edhe me sportet e skitarisë, automobilizmit, peshëngritjes, etj.

Mobilizim madhështor edhe në komunat tjera

Krahas Prishtinës, Panairi i Sportit u mbajt edhe në 15 komuna tjera të Kosovë.

Gjakova, Mitrovica, Gjilani, Ferizaj, Vitia, Drenasi, Lipjani, Klina, Deçani, Vushtrria,Obiliqi, Malisheva, Rahoveci, Kaçaniku dhe Dragashi bënë organizime masive.

Klubet e ndryshme sportive të komunave të tyre paraqitën ofertat e tyre para nxënësve të shumtë të cilët i vizituan dhe u njoftuan me sportet e komunave të tyre.

Hapjen e bënë kryesisht kryetarët e komunave ose drejtorët e sportit, bashkë edhe me zyrtarë të lartë të Komitetit Olimpik të Kosovës dhe Ministrisë për Kulturë, Rini e Sport.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme