Oshoala, “mbretëresha” nigeriane e Barcelonës

Prishtinë | 16 Shk 2020 | 16:38 | Nga Ekonomia Online

Nigeriania Asisat Oshoala është e uritur për suksese të mëtejme me fanellën e Barcelonës, pasi e fitoi trofeun e parë të madh në futbollin spanjoll.

Të dielën e shkuar, Oshoala kontribuoi me dy gola në fitoren e thellë të Barcelonës ndaj Real Sociedadit me rezultatin 10:1 në ndeshjen e luajtur në Salamanca. Kjo ndeshje ishte për Superkupën e Spanjës, trofe ky që është i pari për sulmuesen e Përfaqësueses së Nigerisë, transmeton Koha Ditore shkrimin e Goal.com.

“Superkupa është vetëm fillimi, pasi këtë edicion synoj edhe trofeun e Championsit, ligës dhe kupës së Spanjës. Me këtë trofe vetëm jam motivuar edhe më shumë dhe pres ta ndihmoj ekipin për t’i arritur këto synime. Edicionin dua ta mbylli edhe me tre trofe të tjerë”, ka insistuar Oshoala.

Barcelona këtë edicion nuk di për humbje në kampionatin spanjoll dhe zë vendin e parë në tabelë. Titullin e fundit, Barcelona e ka fituar para pesë vjetësh dhe Oshoala beson se ka ardhur koha që ai trofe të kthehet tek ekipi katalonjas. Ndërkohë, muajin tjetër, Barcelona në çerekfinale të Ligës së Kampionëve do të përballet me Atletico Madridin.

Edicionin e shkuar, si Barcelona ashtu edhe Oshoala ishin pa fat pasi pësuan humbje në finalen e Championsit kundër Lyonit. Këtë ndeshje, Barça e humbi 4:1, kurse golin e nderit e shënoi pikërisht Oshoala.

“Ishte një humbje e hidhur, por këtë herë pres që të kemi sukses. Ne po luftojmë në të gjitha frontet dhe po i kërkojmë sukseset, të cilat besoj shumë se do t’i arrijmë”, është shprehur Oshoala.

Të gjithë ata që e njohin nigerianen nuk habiten me deklaratat e saj optimiste. Pothuajse në çdo ekip që ka luajtur, ka shijuar suksese, përfshirë edhe me Përfaqësuesen e Nigerisë.

Të ngjashme