Barcelona rrezikon përjashtimin nga Kupa e Mbretit

Prishtinë | 18 Jan 2019 | 12:54 | Nga Ekonomia Online

Barcelona mund të eliminohet në tavolinë nga Kupa e Mbretit për këtë edicion, edhe pse rezultatet në fushën e blertë e kanë kualifikuar në çerekfinale, kundërshtarja e “blaugranave” në fazën e 1/8-ave, Levante, i ka paraqitur gjyqtarit të vetëm të Komitetit të Konkurrencës ankesën për të ndëshkuar Barcelonën, duke pretenduar se skuadra katalane ka aktivizuar një lojtar të skualifikuar në ndeshjen e luajtur javën e kaluar. .

Juan Bandariz, i njohur nga të gjithë si Chumi, është aktivizuar nga trajneri Valverde, pavarësisht se ishte skualifikuar me ekipin e dytë të Barçës, pas kartonit të pestë të verdhë të marrë 6 janarin e kaluar, në ndeshjen e luajtur kundër Castellon.

Drejtuesit e Levantes këmbëngulin se Barcelona dështoi në përmbushjen e pikave të Kodit Disiplinor të RFEF, konkretisht duke shkelur nenin 56.3 të tij. Barcelona ka shpjeguar se ky rregull është ndryshuar dhe thotë se dënimet e lehta shlyhen në kompeticionin ku janë marrë, ndërsa ndëshkimet e rënda shtrihen në disa kompeticione.

Sidoqoftë, si Levante ashtu dhe Barcelona, në rast se vendimi i gjyqtarit i dëmton interesat e tyre, pritet ta dërgojnë çështjen në CAS.

Është një situatë e ngjashme me atë të Denis Cheryshev, i cili është aktivizuar kur ishte i skualifikuar dhe Real Madridi u përjashtua nga Kupa e Mbretit. Megjithatë, Barcelona ka përgënjeshtruar gjithçka, duke u bazuar te një ndryshim i rregullores, të bërë në nëntor.

Të ngjashme