Pakënaqësi në Kombëtaren e Francës, Giroud e zemëron Mbappen

Prishtinë | 10 Qer 2021 | 14:51 | Nga Ekonomia Online

Pakënaqësitë kanë shpërthyer në ekipin kombëtar të Francës, skuadrës favorite për Euro 2020, në prag të fillimit të turneut të verës këtë të premte.

Kylian Mbappes nuk i kanë pëlqyer aspak komentet e bashkëlojtarit të vet, Olivier Giroud, transmeton Gazeta Express.

Sulmuesi i Chelseat Giroud i shënoi dy gola të vonshëm, pasi u fut në lojë nga stoli, në fitoren e Francës 3:0 kundër Bullgarisë në miqësoren e fundit para Kampionatit Evropian.

Kur u pyet pas ndeshjes pse bëri paraqitje të qetë, Giroud u përgjigj me shumë guxim: “Ju thoni se isha i qetë. Isha sepse nganjëherë e kërkoj topin dhe nuk e marr kurrë”.

“Nganjëherë e bëj vrapimin por topi nuk vjen tek unë. Mbase kemi mundur ta gjenim njëri-tjetrin më mirë”, shtoi ai.

Sipas L’Equipe, Giroud e kishte për Mbappen, pasi 34-vjeçari i përmendi asistet nga Benjamin Pavard dhe Wissam Ben Yedder.

“Me dy asiste të mira nga Ben Yedder dhe Pavard, unë e përfundova mirë ndeshjen, por ne kemi mundur të shënonim më shumë gola nëse do të kishim qenë më efikas”, shtoi Giroud.

Giroud i kishte kërkuar falje Mbappes pas drekës në kampin stërvitor të Francës, por mediat franceze raportojnë se 22-vjeçari ishte i pakënaqur dhe i kishe thënë trajnerin Didier Deschamps se donte të dilte në konferencë për media të enjten për ta dhënë versionin e tij.

Por Deschamps e kishte bindur atë duke e qetësuar dhe duke i kërkuar të përqendrohej në ndeshjen hapëse të Euro 2020 kundër Gjermanisë të martën më 15 qershor. 

Të ngjashme