Pannuci largohet nga konferenca, Hafizi: Më mirë të mos kthehet më!

Prishtinë | 03 Qer 2018 | 20:32 | Nga

Ish-trajneri i Kombëtares, Astrit Hafizi ka komentuar largimin e trajnerit Panucci nga konferenca live, duke e cilësuar si aspak normal veprimin e tij.

“Mënyra se si iku Panucci nga konferenca live nuk ishte normale. Nëse ai vendos të ikë kështu, është më mirë të mos kthehet më. E kuptoj që të marrësh Kombëtaren pas suksesit të De Biazit nuk është gjë e lehtë, por ose duhet të marrë përgjegjësitë ose të ikë fare”, u shpreh Hafizi.

Sa i takon aspektit tekniko-taktik, ish-trajneri i Kombëtares u shpreh se Panucci i është rikthyer ideve që janë praktikuar edhe më parë tek Kombëtarja.

“Nëse Panuçi do të bëjë eksperimente, t’i bëjë në të dyja ndeshjet, edhe këtu edhe me Kosovën. Sot mua m’u duk që u kthye në disa ide të lojës që kemi luajtur më parë”, tha ai.

Hafizi përmendi Hysajn, Mavrajn dhe Lenjanin, duke i konsideruar si lojtarë që konsumohen tmerrësisht shumë në fushë, dhe se pikërisht për këtë arsye, Panucci duhet të shfaqet me ide të qarta strategjike.

“Hysaj është nga lojtarët më të konsumuar në Itali. Të gjithë e dimë çfarë aftësish ka. Nëse ky do të provojë lojtarë të rinj, pse të mos provojë Likën në të djathtë. Mavraj ka 3 muaj që nuk luan te Hamburgu, pse duhet ta fusësh në lojë?! Edhe Veselin e kemi parë çfarë gabimesh ka bërë, pse duhet të kthehemi sërish tek ai?!

Më parë kemi qenë më të stabilizuar në veprimet mbrojtëse. Kemi pritur të gabojë kundërshtari dhe të shfrytëzojmë. Panucci mendon që të luajë në sulm, por duhet të kesh idetë e qarta. Nuk mund të luash në sulm me 4-5-1. Kemi pësuar 7 gola në dy ndeshje. Mavraj, Hysaj, Lenjani dihet se kush janë. Duhen disa lojtarë që nuk kanë minuta. Ndoshta është nervoz dhe e ka humbur mendjen që pas ndeshjes me Norvegjinë“, ka përfunduar Hafizi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme