Panucci, padi të re ndaj Nishanit

Prishtinë | 17 Sht 2018 | 16:52 | Nga

Përzgjedhësi i Shqipërisë në futboll, Christian Panucci, ka riformuluar padinë ndaj ish-presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani.

Padia e parë u kundërshtua nga gjykata se ishte e parregullt. Këtë herë, gjyqtarja Anila Karanxha e ka konstatuar të saktë padinë e Panuccit dhe i ka lënë 30 ditë kohë palës së paditur, ish-presidentit të Republikës, Bujar Nishanit që të përgatisë mbrojtjen si dhe të paraqesë provat e tij. Pasi të dy palët në proces të kenë sjellë secili provat dhe argumentet e tyre ligjore, do të caktohet një datë për seancën gjyqësore.

Padia e Panuccit ndaj Nishani, ka të bëjë me një reagim të Nishanit pas ndeshjes miqësore Kosovë-Shqipëri, ndeshje në të cilën Shqipëria u mund me rezultatin 3 me 0.

Pas kësaj ndeshje Nishani, reagoi me një deklaratë në rrjetet sociale, ku e ka cilësuar trajnerin Panucci si një sharlatan që shkatërroi edhe atë që ishte ngritur. Për këtë reagim të ish-presidentit, trajneri i kombëtares kërkon 100 mijë euro në formë dëmshpërblimi për dëmin moral që i është shkaktuar figurës së tij në publik, transmeton tch.

Ky është precedenti i parë që trajneri i kombëtares së futbollit kërkon një dëmshpërblim të tillë për reagimet nga njerëz të politikës apo ish-drejtues të lartë të shtetit, pas humbjes së ekipit kombëtar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme