Paqarada e Halimi rikthehen me humbje

Prishtinë | 16 Maj 2020 | 17:48 | Nga Ekonomia Online

Dy reprezentuesit e Kosovës, Leart Paqarada e Besar Halimi kanë shënuar një rikthim jo shumë të suksesshëm në fushën e blertë.

Skuadra e tyre, Sandhausen, të shtunën në mesditë, pësoi nga Erzgebirge Aue me rezultatin 3:1. Ndeshja i takoi xhiros së 26-të të Bundesliga 2 të Gjermanisë. Në të vërtetë ndeshjet e kategorisë së dytë gjermane nisën më herët se ato të Bundesligës, që fillojnë në ora 15:30.

Për Sandhausenin ndeshja nisi keq. Që në minutën e katërt Dennis Diekmeier u ndëshkua me karton të kuq, ndërsa Aue realizoi nga penalltia një minutë më vonë për 1:0.

Paqarada kompletoi ndeshjen si mbrojtës i krahut të majtë, ndërsa Halimi u aktivizua në minutën e 84-t. Ai ishte zëvendësimi i pestë për Sandhausenin. Vetëm të enjten në Gjermani është ratifikuar vendimi që lejon pesë zëvendësime.

Prej orës 15:30 janë këto ndeshje të Bundesligës: Augsburg – Wolfsburg, Borussia Dortmund – Schalke, Fortuna Duesseldorf – Paderborn, Hoffenheim – Hertha, RB Leipzig – Freiburg. Valon Berisha starton te Fortuna.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme