Paqe në Klinë, Dukagjini dhe Gjilani ndajnë pikët

Prishtinë | 30 Tet 2021 | 15:16 | Nga Ekonomia Online

Ndeshje fantastike është zhvilluar në Klinë mes Dukagjinit dhe Gjilanit, por që në fund nuk pati fitues pasi përfundoi me rezultat të barabartë.

Ishte një pjesë e parë pa shumë raste të mira shënimi, derisa në minutën e 33-të erdhi edhe goli i parë.

Ahmed Januzi në rastin e parë në ndeshje arriti të realizoj lehtësisht në portën e mysafirëve për 1-0.

Gjilani krejt çfarë bëri në pjesën e parë ishte një goditje nga Donjet Shkodra, por që përfundoi mbi portë.

Me epërsinë minimale të vendasve 1-0 përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.

Edhe pjesa e dytë nisi më mirë për vendasit, të cilëve iu mohua goli nga Enea Koliqi që intervenoi në minutën e 55-të.

Rast të mirë pati edhe Ahmed Januzi, por që goditja e tij shkoi ngjitur me shtyllën.

Bujar Shabani i vendasve krijoi një tjetër mundësi, por edhe që goditja e tij shkoi jashtë potës.

Gjilani në rastin e parë serioz arriti të barazoj rezultatin, pasi kapiteni Gerhard Progni shënoi me kokë në minutën e 86-të për 1-1.

Krejt në fund të ndeshjes, Gjilani fitoi një penallti.

Gerhard Progni mori përsipër ekzekutimin e saj, por portieri vendas Kenan Haxhihamza priti penalltinë duke i siguruar një pikë Dukagjinit.

Kësisoj në fund dy skuadrat u desh të kënaqen me nga një pikë nga kjo sfidë.

Me këtë barazim, Gjilani mbetet në vendin e tretë në tabelë me 21 pikë, derisa Dukagjini është në të tetin me 11 pikë. /Telegrafi

Të ngjashme