Partizani me gjest të madh për tifozët e tyre në Kosovë, ia paguan autobusët dhe biletat e ndeshjes derbi ndaj Tiranës

Prishtinë | 10 Maj 2019 | 09:50 | Nga Ekonomia Online

Partizani është pranë titullit të kampionit në Shqipëri pas 26 viteve pritje.

Skuadra nga kryeqyteti shqiptar këtë vit ka dominuar në elitën e futbollit në Shqipëri dhe me plot meritë zë pozitën e parë në tabelë me 65 pikë pas 32 javëve.

Pikërisht në javën e 33-të, Partizani mund të shpallet kampion i Shqipërisë edhe matematikisht.

Të kuqve iu mjafton fitorja pa shikuar kundërshtarët në derbi ndaj Tiranës për ta festuar titullin 16-të në histori të klubit.

Por edhe në rast barazimi në derbi, Partizani mund të festoj nëse Kukësi humb ose barazon në udhëtim te Luftëtari.

Kryeqytetasit janë bërë gati për festë dhe kanë bërë një gjest të madh për tifozët e shumtë që kanë në Kosovë.

Partizani i ka krijuar mundësinë tifozëve nga Kosova që të udhëtojnë drejt Tiranës duke ia siguruar autobusët pa pagesë si dhe biletat e ndeshjes ndaj rivalit lokal Tiranës.

Për të gjithë të interesuarit të udhëtojnë drejt Tiranës, mund të kontaktojnë me kryetifozin e Partizanit në Kosovë, Korab Elshanin.

Derbi kryeqytetas mes Partizanit dhe Tiranës zhvillohet të dielën me fillim nga ora 16:30 në stadiumin Selman Stërmasi. /Telegrafi/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme