Pas shumë medaljeve në botëror, ylli suedez kërkon suksesin në skenën më të madhe

Prishtinë | 20 Gus 2019 | 11:39 | Nga Ekonomia Online

Në vitin 2009, notarja Sarah Sjostrom la gjurmë duke fituar të artën në Botërorin në Romë në 100 metra delfin, kur ishte vetëm 15-vjeçare. Dhjetë vjet më vonë, në Gwangju në Botëror, ajo u mposht në disiplinën e saj të favorizuar nga kanadezja Margaret Macneil.

“Isha e lumtur që fitova një medalje të re”, shpjegon suedezja. “Në fakt isha mjaft e lumtur që dola e dyta. Por nuk isha në gjendje të mposhtja gjeneratën e re. Duhet të përshtatem me këtë. Unë isha më e vjetra në finale qysh dy vjet më parë në Budapest”.

Në Kore të Jugut, 25-vjeçarja prapë u rikthye në podium në 200 metra krol duke përfunduar prapa Francesca Pellegrinit dhe Ariarne Titmusit e më pas doli e treta edhe në 100 metra krol prapa Simone Manuelit dhe Cate Campbellit, shkruan “Olympic.org”.

Medalje të artë fitoi në 50 metra delfin, duke mposhtur kampionen olimpike Ranomi Kromowidjojo dhe egjiptianen Farida Osman. Ishte medalja e saj e tetë e artë botërore. Suksesin e arriti në një distancë jo-olimpike, pasi 50 metra delfin nuk është në program për Lojërat Olimpike.

Në ditën e fundit të Botërorit në Kore të Jugut, Sjostrom mbylli garat me një medalje të argjendtë në 50 metra krol, prapa amerikanes Simone Manuel.

“Unë jam e lumtur që kam fituar pesë medalje. Zgjodha një program shumë të vështirë dhe jam e lumtur që ia dola. Mendoj se do të jetë shumë më lehtë në Lojërat Olimpike në Tokio vitin e ardhshëm, pasi atje nuk do të garoj në shumë gara”, ka thënë suedezja.

Bilanci i saj është impresiv. Ka fituar 17 medalje të botës që nga debutimi në vitin 2009.

Por a paralajmërojnë këto rezultate një triumf në kryeqendrën e Japonisë në vitin 2020?

Të ngjashme