Pas verës së zbehtë të klubeve, Milani ndez atmosferën në Kosovë

Prishtinë | 10 Gus 2019 | 09:59 | Nga Ekonomia Online

Bayern Muenchen, Benfica, Manchester United, Feronikeli, Cesena. Këta janë kundërshtarët e Milanit të famshëm në ndeshjet përgatitore për edicionin e ri në Serie A të Italisë. Ndeshjet me gjigantët evropianë, Milani i ka luajtur tashmë. Kështu i erdhi radha miqësores me Feronikelin, kampionin e Kosovës në futboll. Ndeshja Feronikeli – Milani luhet të shtunën (sot) nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Për Milanin kjo mund të jetë një ndeshje e zakonshme, prej së cilës përfiton një shumë të mirë të parave. Për Feronikelin dhe për futbollin kosovar në përgjithësi, vlerësohet një ndeshje historike, shkruan sot Koha Ditore.

Për herë të parë në Kosovë do të luajë një skuadër shumë e madhe evropiane. Prej më të mëdhave në Kontinentin e Vjetër vlerësohet Milani që kampion evropian ka qenë shtatë herë. Së fundi Ligën e Kampionëve e ka fituar në vitin 2007. Milani ka edhe 18 tituj të kampionit të Italisë, pesë Kupa të Italisë, shtatë Superkupa. Lista e sukseseve të Milanit është e gjatë, ndonëse në vitet e fundit skuadra kuq e zi nuk e ka shkëlqimin që e kishte në të kaluarën. Edicionin e fundit në Serie A, Milani e ka përfunduar në vend të pestë. Por përpjekjet e klubit dhe shpresat e tifozëve janë për kthim të shpejtë në rrugën e sukseseve kulmore.

Për një gjë të tillë shpresojnë edhe tifozët e shumtë që Milani i ka në Kosovë. Për ta do të jetë po ashtu një rast i artë – të shohin nga afër skuadrën e tyre të zemrës. Trajneri i Milanit, Marco Giampaolo, të premten ka caktuar listën e 24 lojtarëve që do të jenë në skuadër për ndeshjen miqësore në Kosovë.

Të ngjashme