Peja e pamposhtur i shkon Vëllaznimit, Ylli e kërkon fitoren e parë të sezonit kundër Prizrenit

Prishtinë | 02 Tet 2022 | 09:20 | Nga Ekonomia Online

Prince Caffe Superliga e Kosovës në basketboll vazhdon edhe këtë të diel me ndeshjet e javës së katërt.

Për sot në program janë dy ndeshje, teksa kujtojmë se përballja mes Trepçës dhe Prishtinës u shty për një datë tjetër – shkruan Gazeta Express.

Skuadrën e rikthyer në elitë, Vëllaznimin, nuk e pret punë aspak e lehtë sot, pasi do të takohet me skuadrën e pamposhtur deri më tani, Pejën, që ka regjistruar tri fitore nga po aq ndeshje.

Në anën tjetër, gjakovarët në ndeshjet paraprake regjistruan dy humbje dhe një fitore.

Ndeshja do të zhvillohet nga ora 17:00, në palestrën sportive “Shani Nushi”.

Ndeshja tjetër për sot është ajo mes Ponte Prizrenit dhe Golden Eagle Yllit.

Kampioni në fuqi nuk e ka nisur aspak mirë sezonin, pasi ka regjistruar tri humbje radhazi dhe sot e kërkon fitoren e parë – kurse prizrenasit kanë bilanc prej dy humbjeve e një fitoreje.

Kjo ndeshje do të zhvillohet nga ora 19:00, në palestrën “Sezai Surroi”.

Të ngjashme