Peja e trimëruar pret Prishtinën gjithnjë të gatshme

Prishtinë | 18 Jan 2020 | 11:49 | Nga Ekonomia Online

Rrallë ndodh që një ndeshje e skuadrës së vendit të gjashtë me skuadrën e vendit të parë të jetë derbi. Situata megjithatë ndryshon kur përballen Peja e Sigal Prishtina, dy prej skuadrave më të mëdha të basketbollit në vend. 

Përballjen ndërmjet tyre FBK-ja e ka cilësuar superderbi. Peja e ka cilësuar derbi të përjetshëm ndeshjen me Prishtinën, shkruan sot Koha Ditore.

Peja e pret Prishtinën të dielën nga ora 17:00 në palestrën “Karagaçi”, në kuadër të xhiros së 21-të të Superligës në basketboll. 

Në derbi, Peja futet nga pozita e gjashtë në tabelë. I ka 26 pikë nga 17 ndeshje. Prishtina është e para me 32 pikë nga 18 ndeshje. 

Në letër, kampionia aktuale, Prishtina, mund të jetë favorite. Prishtina ka fituar dy ndeshjet e këtij edicioni me Pejën. Kishte fituar në “Karagaçin e stërmbushur në fillim të tetorit me rezultatin 85:72. Më pas kishte fituar edhe në shtëpi me rezultat shumë të lartë, 104:60. 

Në tetor e nëntor Peja ende po e merrte veten pas kthimit të papritur në Superligë. Tash vlerësohet të jetë konsoliduar plotësisht. Ka transferuar kapitenin e Kosovës, Dardan Berisha, që së fundi luajti pikërisht te Prishtina. 

Drilon Hajrizi ka sanuar një lëndim që e mbajti disa muaj jashtë fushës së lojës, ndërsa pejanët kanë bërë edhe përforcime të tjera me lojtarë vendorë e të huaj. Arti Hajdari, Rron Grapci e Rick Jakson janë lojtarët e tjerë të transferuar nga Peja. Jackson do të debutojë pikërisht në derbi me Prishtinën. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme