Peja fiton me shumë mund në Shkodër

Prishtinë | 15 Jan 2020 | 08:44 | Nga Ekonomia Online

Peja ka shënuar fitore ndaj Vllaznisë në Shkodër, por tek ajo ka arritur dukshëm më vështirë se që është pritur. Të martën mbrëma Peja fitoi me vetëm katër pikë dallim ndaj skuadrës shkodrane, 91:87. Ndeshja i takoi xhiros së tetë të Ligës Ballkanike në basketboll.

Në fakt, Peja është vlerësuar favorite e madhe për këtë ndeshje, por për të shënuar fitore është dashur të luftonte deri në fund. Peja tash ka bilanc prej katër fitoreve dhe tri humbjeve, ndërsa Vllaznia ka një fitore e pesë humbje. Në Ligën Ballkanike po paraqiten vetëm pesë skuadra, duke përfshirë edhe Rahovecin, shkruan sot Koha Ditore.

Amerikanët Jordan Martin e Nigel Johnson kanë udhëhequr skuadrën pejane drejt fitores. Martin ndeshjen e mbylli me 22 pikë e nëntë kërcime, kurse Johnson realizoi 21 pikë. Pikë dyshifrore kishin edhe Dardan Berisha (16), Drilon Hajrizi (11) e Henrik Shirko (12). Kroati Shirko shtoi edhe shtatë kërcime. Te Vllaznia u dallua Colin Voss me 18 pikë e 12 kërcime, ndërsa Babb Jaylen realizoi 20 pikë. Petar Kusovac shtoi 19 pikë, që megjithatë nuk mjaftuan.

Çereku i parë ishte i barabartë, ndërsa në të dytin Peja bëri një shkëputje të lehtë. Por shkodranët nuk u dorëzuan dhe mbetën në lojë edhe në çerekun e tretë, që përfundoi 20:20. Në mes të çerekut të katërt, Peja krijoi 13 pikë epërsi (84:71). Vllaznia megjithatë u kthye në lojë, duke u afruar në vetëm tri pikë, 84:81, tre minuta para fundit. Edhe në minutën e fundit rezultati u ngushtua në tri pikë, 86:83, por pejanët me përvojë ia dolën të mbanin epërsi të lehtë deri në fund (91:87).

Të ngjashme