Për herë të parë në histori, ndeshja Liverpool-Leipzig luhet sërish në “Puscas Arena”

Prishtinë | 04 Mar 2021 | 17:11 | Nga Ekonomia Online

Përveçse ka bërë të pamundur praninë e tifozëve, situate e krijuar nga pandemia po bëhet shkak edhe për ndryshimin e stadiumeve për zhvillimin e disa ndeshjeve të rëndësishme.

Kështu ndodhi në Europë, ku skuadrat gjermane, spanjolle e portugeze nuk pritën në impiantet e tyre klubet angleze, por u detyruan të shtegtojnë kryesisht në Hungari, Rumani apo Itali.

Gjermanët e Leipzig pritën Liverpoolin në stadiumin “Puscas Arena” dy javë më parë, në sfidën e parë të fazës së 1/8-ave të Ligës së Kampionëve, pasi shteti gjerman nuk autorizonte hyrjen e futbollistëve anglezë brenda territorit.

Sot UEFA miratoi sërish stadiumin “Puscas Arena” të Budapestit për të pritur ndeshjen e kthimit Liverpool-Leipzig, duke qenë se rregullat e pandemisë detyrojnë futbollistët e Leipzig të qëndrojnë dy javë në karantinë, nëse udhëtojnë drejt Anglisë.

Kjo është hera e parë në historinë e Ligës së Kampionëve, që si ndeshja e vajtjes, ashtu edhe ajo e kthimit, të luhen në të njëjtin stadium, megjithatë qeveria europiane e futbollit ka justifikuar vendimin, me situatën e rënduar të pandemisë.

Sfida e parë përfundoi me fitoren 0-2 të Liverpoolit, që këtë herë do të duhet të administrojë avantazhin prej dy golash, për të kaluar në fazën çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Të ngjashme