Për shkak të Coronavirusit mund të zhvendosen ndeshjet e Shqipërisë

Prishtinë | 27 Shk 2020 | 19:34 | Nga Ekonomia Online

Për fund të marsit, Kombëtarja e Shqipërisë në futboll ka planifikuar të luajë dy miqësore. Më 27 mars, Shqipëria duhet të luajë ndaj San Marinos në këtë vend, ndërsa më 30 mars është planifikuar miqësorja me Slloveninë në Udine të Italisë.

Por zhvillimi i këtyre dy ndeshjeve në këto vende është vënë në dyshim për shkak të koronavirusit, ka raportuar të enjten gazeta tiranase Panorama Sport.

Italia është shumë e prekur nga koronavirusi, ndërsa së fundi është raportuar edhe për një futbollist të infektuar me këtë virus. Fundjavën e kaluar janë shtyrë disa ndeshje të Serie A, ndërsa në fundjavën e ardhshme ndeshjet do të luhen pa shikues.

Sipas burimeve të Panorama Sport, Federata Shqiptare e Futbollit po mendon të zhvendosë këto dy ndeshje për të mos rrezikuar duke luajtur në Itali.

“FSHF-ja po mendon për një alternativë tjetër në lidhje me këto dy ndeshje, teksa ekziston mundësia që një nga këto ndeshje të luhet në ‘Air Albania’”, ka raportuar Panorama Sport.

FSHF-ja nuk ka dalë me ndonjë qëndrim zyrtar, ndërsa pritet ndonjë vendim përfundimtar në ditët në vazhdim.

Të ngjashme