Përballja e çuditshme e Koreve në futboll

Prishtinë | 16 Tet 2019 | 12:07 | Nga Ekonomia Online

Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut barazuan pa gola në ndeshjen historike, por joreale që u takoi kualifikimeve për botërorin “Katari 2022”. Ndeshja u zhvillua të martën në një stadium pa shikues dhe pothuajse të izoluar nga bota e jashtme.

Ndeshja ndërmjet dy përfaqësueseve, të vendeve që teknikisht ende janë në luftë – u zhvillua në stadiumin “Kim Il Sung” të Pyongyangut dhe nuk pati transmetim direkt, tifozë dhe as mediume të huaja në tribuna. Në fakt, nuk u lejuan nga regjimi verikorean.

Futbollistët e të dyja ekipeve luajtën për 90 minuta në stadiumin e boshatisur tërësisht, transmeton Koha Ditore shkrimin e AFP-së.

Ndeshja i takoi Grupit H të raundit të dytë eliminator të Azisë, kurse pas këtij barazimi, Koreja e Jugut dhe ajo e Veriut i ndajnë dy pozitat e para në tabelë me nga shtatë pikë pas tri xhirove të luajtura deri më tash.

Ylli i Tottenhamit, Son Heung-min ishte kapiten i Koresë së Jugut në ndeshjen e parë zyrtare që u luajt në Pyongyang, nga e cila mbetën të irrituar tifozët jug-koreanë pasi nuk iu lejua udhëtimi.

Ata do të duhet të presin edhe për disa ditë të tjera përpara se të shohin ndeshjen edhe në televizor, pasi zyrtarët e Koresë së Veriut do t’ia dërgojnë Koresë së Jugut të regjistruar në DVD.

“Koreja e Veriut ka premtuar të na sigurojë një DVD, që përmban pamjet e plota të ndeshjes përpara se të niset delegacioni ynë për t’u kthyer në shtëpi”, është thënë nga Ministria e unifikimit të Koresë së Jugut pas ndeshjes.

Të ngjashme