Përballje Kosovë-Serbi në basketboll 3×3

Prishtinë | 13 Gus 2016 | 10:17 | Nga

Të shtunën me fillim nga ora 17:30, kampionia aktuale e Kosovës në streetball, CHE BAR, do ta hap edicionin e 5-të të Bucharest Challenger duke u përballur me ekipin numër një në botë , NOVI SAD AL WAHDA nga Serbia.

Kampionët aktual të Limak Streetball Kosova 2016, skuadra CHE BAR e përbërë nga Fikret Shatri, Finsik Juniku, Albatrit Berisha dhe Etnik Peci, sot kanë udhëtuar për në Rumani ku të shtunën dhe të dielën do të marrin pjesë në Raiffeisen Bucharest Challenger 2016.

Për herë të tretë rresht, Che Bar do ta përfaqësojë Kosovën në Bukuresht, turne ky i cili sivjet është kualifikues për FIBA 3×3 World Tour Debreceni Masters 2016, si pjesë e rrugës deri në World Tour Finals.   Me fjalë tjera, Che Bar gjatë këtij vikendi do të jetë pjesë e tubimit të ajkës botërore të basketbollit 3×3.

Hiç më pak se dhjetë skuadra më të mira të edicionit të kaluar të FIBA 3×3 World Tour, duke përfshirë  edhe favoritin nikoqir, Team Bucharest, lojtarët e të cilës skuadër kishin ndihmuar Rumaninë që të fitoj titullin e kampioni të Evropës për kombëtare para dy viteve ( FIBA 3×3 European Championship 2014) , gjatë këtij vikendi do të tubohen në ambientin tashmë të famshëm dhe tradicional, në zemër të Bukureshtit, në Sheshin e Universitetit , ku sërish pritet një ambient fantastik.

Pa dyshim se favoritët kryesor për titull kampioni në Bucharest janë edhe rivalët e përbetuar , skuadra  Novi Sad Al Wahda dhe skuadra Ljubljana. Duhet thënë se skuadra serbe e udhëhequr nga lojtari numër një në botë, Dushan Domoviq Bulut, në përbërje ka edhe tre lojtarë të tjerë që janë të ranguar në mesin e top 5 lojtarëve më të mirë në botë, kurse skuadra  Ljubljana e udhëhequr nga Jasmin Hercegovac që është lojtari numër 4 në botë, në përbërje ka edhe tre lojtarë të tjerë që rangohen si numër 6, 7 dhe 8.

Fituesit do t’i takojnë 4000 dollarë amerikanë, kurse nën kampioni i Bucharest Challenger 2016 do të ngushëllohet me 1000 dollarë.

Kampionia e katërfishtë e Kosovës në Streetball, skuadra Che Bar, sivjet për herë të tretë rresht përfaqëson Kosovën në këtë garë prestigjioze ndërkombëtare.

Vitin e kaluar, në fazën e grupeve, Che Bar ishte befasi e turneut duke shënuar tri fitore dhe 61 pikë nga 66 pikë maksimale që mund të shënohen në tri ndeshje, por në çerekfinale ishin eliminuar nga skuadra e Shën Petersburgut, e cila edhe sivjet është pjesë e kësaj gare.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme