Përcaktohet programi dhe kalendari për rifillimin e sezonit në NBA

Prishtinë | 21 Qer 2020 | 17:07 | Nga Ekonomia Online

Drejtuesit e NBA komunikojnë kalendarin e ndeshjeve për fazën e rikthimit pas shkëputjes së gjatë për shkak të pandemisë së koronavirusit. Krerët e National Basketball Association kanë hartuar gjithashtu edhe programin e plotë si dhe protokollin me masat e ndryshme që duhen zbatuar për të respektuar në këtë mënyrë rregullat e forta kundër përhapjesë së virusit COVID-19. Pas marrëveshjes së arritur, lojtarët duhet të paraqiten në ambientet stërvitore për të kryer fazën përgatitore.

NBA pra hedh kështu një tjetër hap të rëndësishëm drejt rikthimit në parket, për një rifillim të mundshëm, duke zyrtarizuar në këtë mënyrë grumbullimin në resortin dhe kompleksin gjigant “Walt Disney”, që ndodhet pranë Orlandos, në shtetin e Floridas. Bordi drejtuesi NBA bashkë me komisionerin Adam Silver planifikoi në këtë mënyrë rikthimin e kampionatit më spektakolar në glob, që u ndërpre që më datën 11 mars. Do të jenë 22 skuadra që do të vijojnë pjesën e mbetur e në mënyrë të kuptueshme nuk janë përfshirë pikërisht ato ekipe që nuk kanë asnjë lloj shprese për t’u kualifikuar për në zonën play off.

Protokolli i sigurisë me masat përkatëse, në fakt, ishte aprovuar që më datë 16 qershor. Shtetet e Bashkuara, siç dihet, janë vendi më i prekur nga pandemia e Koronavirusit, me më shumë se 2.3 milionë të prekur, prej të cilëve 122.000 vetë kanë humbur jetën. Pas bisedimeve të gjata dhe këshillimit ndërmjet palëve, u arrit në përfundimin që për të respektuar masat e sigurisë dhe shmangur një infektim të mundshmë nga data 23 deri më 30 qershor ekipet do të kenë mundësinë për të stërvitur nga katër basketbollistë, e do të kenë në dispozicion në ambientet stërvitore një numër të reduktuar që shkon deri në 10 persona gjithsej, nga stafi teknik i trajnerëve dhe asistentëve, ndërsa nga data 1 deri më 9 korrik në këto ambiente do të lejohet të stërviten 8 lojtarë njëkohësisht.

Pas plotësimit të kësaj faze, nëse nuk do të ketë probleme të mëdha apo ndonjë shpërthim të ri të Koronavirusit, të gjithë do të mund të udhëtojnë drejt Floridas. Që nga fillimi i muajit të ardhshëm ekipet pjesëmarrëse, që do të vazhdojnë aventurën e tyre përgjatë sezonit të rregullt, do të shpërngulen kështu në Orlando, ku do të vijohet me praktikat e përcaktuara të grumbullimit dhe procesin e gjatë të fazës përgatitore.

Edicioni i kampionatit të NBA për sezonin 2019-20 do të vazhdojë pjesën e mbetur më datë 30 korrik dhe 22 skuadrat pjesëmarrëse do të mbyllin sfidat në regular season, duke zhvilluar edhe nga tetë ndeshje, për të plotësuar kalendarin dhe nxjerrë përfundimisht edhe 16 ekipet që do të fitojnë të drejtën për të kaluar më tej. Gjithçka më pas është e kuptueshme do të vijojë sipas formatit të zakonshëm dhe në bazë të klasifikimit të përgjithshëm do të përcaktohen edhe 8 ciftet që do të vazhdojnë rrugën e tyre në sfidat me eliminim të drejtpërdrejtë, të fazës së play off-it, pra 4 në Konferencën e Lindjes dhe po 4 edhe në Konferencën e Perëndimit.

Drejtuesit kanë vendosur që nëse një ekip gjendet vetëm 4 ndeshje larg pozicionit të 8 në tabelën e renditjes atëherë do të krijohet mundësia për të zhvilluar një miniturne të pagëzuar play –in, nga data 15 deri në 16 gusht, për të përcaktuar edhe skuadrën që do të kualifikohet për më tutje. Faza e parë e play off-it do të luhet nga 17 – 31 gusht, ndërsa në vazhdim do të fillojnë sfidat gjysmëfinale në konferencat respektive, kohë kur do të lejohet hyrja në “Walt Disney World Resor”t edhe për familjarët si dhe personat e ftuar nga vetë basketbollistët.

Nga 15 deri më 28 shtator do të jetë koha për të ndjekur finalet e dy konferencave, ndërsa finalet e sezonit do të luhen nga 30 shtatori deri më 13 tetor. Menjëherë sapo të përfundojnë këto ndeshje dhe të shpallet ekipi kampion fillon faza e zakonshme që quhet off – season, ndërsa rituali i përvitshëm i bamirësisë University Giveaway do të mbahet më datë 16 tetor, ndërsa dy ditë pas kësaj date starton edhe periudha e lëvizjes së lirë të lojtarëve.

Të ngjashme