Perishiqi drejt Arsenalit, Interi shqyrton alternativat për ta zëvendësuar

Prishtinë | 29 Jan 2019 | 09:47 | Nga Ekonomia Online

Ivan Perisiq ka kërkuar largimin nga Interi dhe ky fakt u pranua edhe nga vetë administratori i deleguar i zikaltërve para ndeshjes së djeshme me Torinon, por klubi milanez kërkon të marrë maksimumin nga shitja e kroatit.

Arsenali është skuadra që kërkon me ngulm shërbimet e Perisiq dhe që “i ka ngritur” mendjen kroatit, por klubi anglez nuk po arrin ende të gjejë gjuhën e përbashkët me drejtuesit e Interit dhe duket se më shumë se çmimi, pengesë është bërë formula e transferimit.

Kjo pasi londinezët ofrojnë 5 milionë euro për huazimin dhe ruajtjen e të drejtës së blerjes për 40 milionë euro të tjera në verë, në rast se Perisiq do të arrijë të bindë trajnerin e skuadrës, Unay Emery.

Nga ana tjetër Interi kërkon medoemos detyrimin e blerjes në verë, ose në të kundërt, të përfshihet edhe huazimi i një lojtari të “topçinjve” te zikaltrit, për të bërë shkëmbim huazimesh, gjë që ende ka mbetur për t’u shqyrtuar.

Ivan Perisiq i Botërorit ka bindur drejtuesit e Arsenalit, por paraqitja nën nivel gjatë fazës së parë të kampionatit italian, ka hedhur hije dyshimi mbi trajnerin Emery, që ende nuk ka dhënë miratimin për blerjen përfundimtare, shkruan Top Channel.

Megjithatë merkatoja mbyllet të enjten dhe të dy skuadrat duket se janë të predispozuara të nxitojnë për të arritur një marrëveshje sa më shpejt, pasi edhe klubi zikaltër duhet të përgatitet për të gjetur pasuesin e kroatit.

Në këtë drejtim, Marotta dhe Ausilio po punojnë me tre pista paralele, pasi emri i parë është ai i Mesut Ozil, që mund të vijë te Interi si shkëmbim huazimi me Perisiq, ndërsa të tjerët në listë janë Carrasco dhe De Paul.

Për belgun, zikaltrit kanë hyrë në negociata me kinezët e Dalyan Yifang, që disponojnë kartonin e tij dhe i kanë ofruar Antonio Candrevën në shkëmbim, ndërsa me De Paul ka një marrëveshje për ta transferuar në verë, por gjithçka mund të përshpejtohet, nëse shpërblehet klubi i Udineses.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme