Përleshja më e madhe mes lojtarëve në histori të NBA-së

Prishtinë | 16 Pri 2020 | 10:01 | Nga Ekonomia Online

Kanë kaluar më shumë se një muaj që kur është suspenduar edhe sezoni i NBA shkaku i virusit Covid-19 që fillimisht preku edhe lojtarët e Utah Jazz.

Në këtë periudhë, tifozët prisnin t’i shikonin ndeshjet e para të fazës së play-offs, por tani e gjejnë veten duke e kujtuar përleshjen e madhe të vitit 2004, mes lojtarëve të Detroit Pistons dhe Indiana Pacers.

Zënka mes lojtarëve të Detroit Pistons dhe Indiana Pacers, që kishte ndodhur më 19 nëntor të vitit 2004, ishte quajtur nga Associated Press si “zënka më famëkeqe në histori të NBA”.

Kur Pacers kishin qenë duke e fituar ndeshjen me rezultat 97:82 dhe kishin mbetur vetëm edhe 45.9 sekonda lojë deri në fund, qendra e Pistons Ben Wallace tentoi të shënojë një dypikësh, mirëpo kjo iu pamundësua nga një ndërhyrje e parregullt e Ron Artest të Pacers, i cili tani e ka ndryshuar emrin në Metta World Peace.

Wallace ishte zemëruar dhe e kishte shtyrë, duke e kapur për qafe, Artestin, përderisa menjëherë lojtarët u ngritën nga stolet e klubeve dhe filloi një përleshje masive.

Pasi përleshja mes lojtarëve u ndërpre shkaku i ndërhyrjes së sigurimit dhe stafit të të dy klubeve, një tifoz e gjuajti me një shishe Artestin, i cili ishte shtrirë mbi tavolinën e rezultateve për t’u qetësuar. Artest menjëherë shkoi drejt tifozit, duke e nxitur kështu një tjetër përleshje të madhe, këtë herë edhe me tifozët të përfshirë, që zgjati disa minuta.

Pas ndeshjes, NBA i kishte suspenduar nëntë lojtarë për 146 ndeshje, duke bërë që ata lojtarë t’i humbin 11 milionë dollarë në paga. Pesë lojtarët u paditën për sulm fizik dhe u detyruan të bëjnë shërbime ndaj komunitetit për një vit, gjatë kohës sa ishin në liri me kusht.

Pesë tifozë gjithashtu u përballën me akuza kriminale dhe u pezulluan përjetësisht nga ndeshjet e Pistons. Kjo përleshje më vonë bëri që NBA ta rrisë sigurinë mes lojtarëve dhe tifozëve dhe ta limitojë shitjen e alkoolit nëpër ndeshje./ge

Të ngjashme