Përzgjedhësi i Kosovës, Gliha për ndeshjen me Jordaninë: Duhet të kemi besim, ndeshjet duhet të fitohen

Prishtinë | 09 Nën 2021 | 19:21 | Nga Ekonomia Online

Kosova do të përballet nesër me Jordaninë në një miqësore që zhvillohet nga ora 18:00, ndërsa katër ditë më vonë më 14 nëntor luan me Greqinë në kualifikimet e Kupës së Botës.

‘Dardanët’ për këto dy ndeshje do t’i drejtojë Primoz Gliha që ka folur në konferencë për shtyp para ndeshjes së radhës.

“Futbollistëve u kam thënë që duhet të mundohemi të fitojmë çdo ndeshje, e njoh mjaft mirë mentalitetin e Kosovës”.

“Mendoj që ekipi ynë duhet të ndryshoj në aspektin e respektimit të kundërshtarëve pasi i respektojmë shumë kundërshtaret dhe kjo po na kushton, duhet të mundohemi të marrim rezultate të mira”.

“Për mua nuk ka ndeshje miqësore pasi çdo ndeshje është e rëndësishme dhe nesër ndaj Jordanisë kërkojmë vetëm fitore”, ka thënë ai fillimisht.

Trajneri gjithashtu foli për futbollistët që do të mungojnë në këto dy duele.

“Ne kemi disa mungesa të katër apo pesë futbollistëve, por kjo për mua nuk është e rëndësishme pasi kemi futbollistë të tjerë që duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi”.

“Disa futbollistë kanë kërkuar të lirohen nga grumbullimi shkaku i situatave të tyre me klubet, dhe ne i kemi mirëkuptuar pasi është fundi i vitit, por në ndeshjet e marsit do të jetë situatë tjetër”, deklaroi Gliha.

Përzgjedhësi gjithashtu tregoi nëse do të drejtojë Kosovën edhe pas këtyre dy ndeshjeve.

Të ngjashme