Përzgjedhësi i Moldavisë: Ne nuk mund të luajmë në Kosovë e Kosova në Moldavi

Prishtinë | 03 Mar 2020 | 19:51 | Nga Ekonomia Online

Moldavia e Greqia nuk e njohin shtetin e Kosovës. Me përfaqësueset e këtyre dy vendeve do të luajë Kosova në edicionin e ardhshëm të Ligës C të Ligës së Kombeve të UEFA-s.

Menjëherë pas shortit është përmendur ana politike e përballjeve me këto dy vende. Është përzgjedhësi i Moldavisë, turku Engin Firat, që ka përmendur faktin se Moldavia nuk e njeh Kosovën. Sipas tij Moldavia nuk mund të luajë në Kosovë e po ashtu Kosova nuk mund të luajë në Moldavi. Ai megjithatë ka folur me respekt për Kosovën, në rrafshin sportiv.

“Është grupi më i fortë, të gjitha ndeshjet do të jenë të forta. Nëse ka një favorit, atëherë do të jetë Kosova që ka luajtur mirë kohët e fundit. Por edhe Greqia e Sllovenia janë kundërshtarë të fortë. Kemi probleme politike me Kosovën. Ne nuk mund të luajmë në Kosovë e Kosova nuk mund të luajë në Moldavi. Së pari duhet të zgjedhim këtë problem e më pas të mendojmë për ndeshjet. Por besoj që do të gjendet një zgjidhje”, ka thënë Firat.

Moldavia është prej kundërshtarëve të mëdhenj të pavarësisë së Kosovës. Ndërkohë me Greqinë raportet janë më të relaksuara. Qytetarët e Kosovës nuk kanë telashe për të hyrë në Greqi, raporton Koha.net.

Të ngjashme